Historia e fizikës moderne është e mbushur me shkëndija të befasishme. Disa ndriçojnë menjëherë, të tjerat mbeten të fshehura pas emrave më të lehtë për t’u kujtuar. Brenda këtyre hijeve lëviz figura e Lise Meitner, njëra prej shkencëtareve më brilante të shekullit XX, një mendje e aftë të lexonte atomin nga brenda kur askush tjetër nuk ishte në gjendje ta bënte. Emri i saj lidhet me një nga zbulimet më vendimtare të historisë njerëzore: fisionin bërthamor. Para eksperimenteve atomike, para energjisë që do të ndryshonte botën dhe para armëve që do të shënonin historinë, ekzistoi intuita e saj. Një kuptim i thellë, i lindur në heshtjen e laboratorit dhe më pas i errësuar nga padrejtësitë, paragjykimet dhe tensionet politike.
Lise Meitner lindi në Vjenë në vitin 1878. Ajo studioi fizikë në një kohë kur grave u dekurajohej çdo rrugëtim shkencor. Megjithatë arriti të imponohej falë një rigoroziteti të jashtëzakonshëm dhe një kapaciteti të rrallë mendor. U shpërngul në Berlin ku bashkëpunoi me kimistin Otto Hahn, duke krijuar një nga partneritetet shkencore më të rëndësishme të shekullit. Bashkëpunimi i tyre zgjati tridhjetë vjet. Hahn merrej me kiminë e elementeve radioaktive. Meitner ishte mendja teorike, shkencëtarja që kërkonte logjikën e fshehur pas atyre dukurive. Roli i tyre ishte komplementar dhe i ndërthurur në mënyrë të përsosur.
Me ngjitjen e nazizmit, situata u bë e papërballueshme. Lise Meitner ishte hebreje. Në vitin 1938 u detyrua të largohej nga Gjermania për të shpëtuar. La papritur laboratorin, kërkimet e saj dhe rezultatet e akumuluara bashkë me Hahn gjatë viteve të punës. Internimi i ndaloi vazhdimin e eksperimenteve, por nuk e ndaloi të menduarit. Ishte larg, pothuajse në ilegalitet, kur ndodhi diçka epokale.
Otto Hahn kreu një eksperiment me bërthamat e uraniumit dhe vuri re se kishte përftuar barium, një element më të lehtë. Të dhënat nuk kishin kuptim për kiminë së asaj kohe. Asnjë teori nuk arrinte të shpjegonte këtë rezultat. Hahn nuk e kuptonte çfarë kishte ndodhur.
Meitner, ama, ajo po.

versioni arkivor NARA
E arratisur në Suedi, ajo mori rezultatet me letër. I analizoi me një kthjelltësi tronditëse. Kuptoi se bërthama ishte copëtuar. Shkroi një shpjegim themelor, ky proces nuk ishte një anomali. Ishte një dukuri e re fizike. Ishte fisioni bërthamor. Llogariti energjinë e liruar duke përdorur formulën e Einstein-it. Dëshmoi se ky proces mund të gjeneronte një fuqi të paprecedentë. Kuptoi përmasën revolucionare të asaj që kishte ndodhur. Teoria më e rëndësishme lindi nga një mendje e internuar, pa laborator dhe pa mjete.
Në vitin 1944, çmimi Nobel për Kimisë iu dha vetëm Otto Hahn-it. Megjithëse komuniteti shkencor e dinte se Meitner kishte qenë interpretuesja e vërtetë teorike e fisionit, emri i saj u injorua. Arsye të shumta dhe tragjike. Ekzistonte një klimë diskriminimi ndaj grave. Ekzistonte një klimë politike ku përmendja e një shkencëtareje hebreje, e arratisur nga nazizmi, ishte e pakëndshme. Ekzistonte (dhe ndoshta ende ekziston) edhe një mekanizëm akademik që shpërblen shpesh atë që ka më shumë pushtet dhe më shumë dukshmëri.
Lise Meitner nuk protestoi. Vijoi të punonte me dinjitet. Kur shtypi filloi ta quante “nëna e bombës atomike”, ajo u përgjigj me vendosmëri. Refuzoi çdo lidhje me armën që u zhvillua më pas, duke deklaruar se ajo kishte kontribuar vetëm në njohjen shkencore, jo në shkatërrim.
Koha vendosi rregull aty ku historia kishte gabuar. Studiuesit modernë e njohin Lise Meitner-in si një nga figurat më të rëndësishme të fizikës së shekullit XX. Kuptimi i saj i fisionit bërthamor ishte vendimtar dhe pa të, zbulimi nuk do të kishte qenë i mundur. Sot emri i saj lidhet me një element të tabelës periodike, meitneriumin, i krijuar në nder të saj.
Burimet
Max Planck Institute for the History of Science, arkivat mbi Lise Meitner
Nobel Prize Official Archives, dokumentacioni mbi çmimin Nobel 1944
Encyclopaedia Britannica, zëri “Lise Meitner”
Smithsonian Institution, koleksioni i dokumenteve mbi fisionin bërthamor
American Physical Society, profili historik për Meitner dhe Hahn
Deutsches Museum i Munihut, koleksioni i fizikës bërthamore dhe materialet origjinale të Meitner-it
Përgatiti: Albert Vataj











