Nga Albert Vataj
Kur Pierre Curie u nda nga jeta në vitin 1906, vajza e tij Irène nuk kishte mbushur ende nëntë vjeç. Ishte ende fëmijë, por ajo humbje e hershme do t’i linte një shenjë të thellë, një boshllëk që vetëm drita e dijes do të mund ta mbushte. Nën kujdesin e nënës, Marie Curie, që tashmë kishte hyrë në historinë e shkencës si gruaja e parë fituese e Çmimit Nobel, Irène do të rritej në laborator, mes shisheve me radio, fletëve të ekuacioneve dhe aromës së përhershme të kimisë.
Në një botë ku gratë rrallë merrnin zë, ajo do të bëhej jehona e vazhdimësisë së një zëri që kishte guxuar të sfidonte kufijtë e gjinisë dhe të dijes.
Duhej të kalonin më shumë se tridhjetë vjet që një tjetër grua të fitonte një çmim shkencor Nobel, dhe ajo do të ishte pikërisht Irène. Në vitin 1935, bashkë me bashkëshortin e saj Jean Frédéric Joliot, ajo u nderua me Çmimin Nobel në Kimi për zbulimin e radioaktivitetit artificial, një hap i madh që do të hapte rrugën për epokën bërthamore.

Ajo kishte studiuar fizikë dhe kimi, kishte punuar krah për krah me nënën që nga viti 1919 në Institutin Curie, dhe kishte marrë doktoraturën në Shkencë më 1925. Por Irène nuk ishte vetëm bijë e një legjende, ajo po bëhej vetë një kapitull më vete në historinë e mendimit njerëzor.
Në vitin 1932, ajo zbuloi neutronin, një ndër zbulimet themelore të fizikes moderne, ndërsa dy vite më vonë arriti të prodhonte elemente radioaktive artificiale, për herë të parë në historinë e njerëzimit.
Në atë laborator, mes lodhjes, pasionit dhe rrezatimit të padukshëm që do t’i merrte më vonë jetën, Irène shihte jo vetëm materien, por edhe fatin e saj të brishtë. Ajo kuptonte se drita që zbulojmë mund të ndriçojë apo të djegë, në varësi të dorës që e përdor.
Në vitet ’30, ndërsa Europa po errësohej nga hapat e rëndë të fashizmit, Irène Joliot-Curie e shndërroi laboratorin në një tribunë të ndërgjegjes. Ajo iu bashkua Partisë Socialiste Franceze, mori pjesë në Komitetin e Vigjilencës së Intelektualëve Antifashistë, dhe u bë një nga zërat më aktivë për barazinë gjinore dhe paqen botërore.
Në një kohë kur shumë shkencëtarë kërkonin të izoloheshin në laboratorë sterilë, ajo e kuptoi se dija nuk është e pastër nëse nuk shërben për njeriun.

Për Irènen, shkenca nuk duhej të ishte vetëm kërkim, por edhe kujdes.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ajo fshehu informacione të ndjeshme për reaktorët bërthamorë, duke i mbajtur të fshehta në Akademinë e Shkencave për të mos rënë në duart e pushtuesve nazistë. Një akt që dëshmon jo vetëm inteligjencë, por edhe moral. Ajo mbrojti anëtarë të Rezistencës franceze dhe shkencëtarë hebrenj, duke rrezikuar jetën për të shpëtuar të tjerët.
Pas bombardimeve të Hiroshimës dhe Nagasakit, Irène u trondit thellë. Ajo e dinte se drita që kishte ndihmuar të zbulohej, drita e atomit, kishte shndërruar qytete në hi.
Kështu, ajo iu bashkua figurave si Bertrand Russell dhe Albert Einstein, duke firmosur në vitin 1950 Apelin e Stokholmit kundër armëve bërthamore, dhe më vonë, në vitin 1955, Manifestin për Paqe të Russell-Einstein.
Në një botë që rendte drejt fuqisë, ajo qëndroi në anën e përgjegjësisë. Ishte një zë që kujtonte se dija pa etikë është verbëri, dhe se përparimi pa shpirt është regres i fshehur.
Irène Joliot-Curie u shua në Paris në mars të vitit 1956, në moshën 58-vjeçare, nga leucemia e shkaktuar nga ekspozimi ndaj radioaktivitetit në laborator. Në mënyrën më tragjike, ajo përsëriti fatin e nënës së saj, një dëshmi se çmimi i dijes shpesh paguhet me trupin e atyre që e ndriçojnë botën.
Por ajo që la pas nuk ishte thjesht një trashëgimi shkencore. Ishte një mënyrë për të menduar dritën, për ta parë atë si përgjegjësi dhe si kujtesë.

Dy fëmijët e saj, Hélène dhe Pierre, u bënë po ashtu shkencëtarë të njohur, duke dëshmuar se ndoshta drita e njohjes nuk shuhet kurrë, vetëm përcillet, si një rreze që kalon nga një brez në tjetrin.
Në historinë e shkencës, emri Curie është më shumë se një simbol i zbulimit, është metafora e përkushtimit, e përulësisë dhe e sakrificës.
Irène Joliot-Curie mbetet shembulli i rrallë i një gruaje që nuk trashëgoi vetëm laboratorin, por edhe etikën e kërkimit, guximin e mendimit dhe ndjeshmërinë e njeriut.
Në një kohë kur inteligjenca artificiale, teknologjia dhe energjia bërthamore shtrihen në çdo sferë të jetës, kujtesa e saj na thërret të kujtojmë se shkenca nuk është qëllim më vete, është mjet për dinjitetin njerëzor.
Irène nuk kërkoi të sundonte materien, por ta kuptonte atë në emër të jetës.
Në këtë kuptim, ajo mbetet një figurë e përjetshme: një dritë që nuk e vret errësirën, por e mëson atë të mos frikësojë.











