Nga Albert Vataj
Ka vepra që nuk ngrihen thjesht për t’u parë, por për t’u ndjerë. Ka forma që nuk janë vetëm trajta të gdhendura në gur, por psherëtima të njeriut që dashuron, që digjet, që dorëzohet. Një e tillë është “Puthja” e Auguste Rodin, një ndër veprat më të ndjeshme dhe më të guximshme të historisë së artit. Ajo nuk është vetëm një skulpturë, por një manifest i trupit dhe shpirtit njerëzor, një himn i ngjizjes së pasionit dhe ndjenjës, që përmes mermerit ngjall zjarrin e prekjes dhe të shkrirjes shpirtërore.
Rodin, mjeshtri që i dha frymë gurit, e përktheu dashurinë në gjuhën e formës, duke e bërë “Puthjen” të flasë më shumë se çdo fjalë, të digjet më shumë se çdo trup, dhe të mbetet përjetësisht e gjallë – aty ku mermeri nuk ftohet kurrë nga ngrohtësia e ndjenjës njerëzore.

Ai, skulptori francez François-Auguste-René Rodin (12 nëntor 1840 – 17 nëntor 1917), i njohur për botën si Auguste Rodin, e “ç’burgosi” nga mermeri puthjen, këtë thirrje qiellore të epshit dhe të shkrirjes shpirtërore, për ta kredhur në një idilikë ndjenjash përvëluese, aq të ngrohta e përshkuese, sa çdo frymë e tyre ngjan me zjarrin e lindjes së vet.
Ai i zboi nga guri, me yshtjen e pasionit, dy dashnorë që flijohen në një prehje të ëmbël dashurie, në një prushje dëshire që deh dhe ndriçon.
“Puthja” e Rodin-it, e cila mori jetë më 1889, është ndoshta më e prushta që historia e artit ka njohur ndonjëherë. Ajo shënoi një pikë kthese, një shfryrje të përmbajtur të shekujve të moralit puritan, një çarje të guximshme në muret e ftohta të konvencionit. Nga mermeri i bardhë shpërtheu ngrohtësia e mishit, fryma e dashurisë dhe e mëkatit të ëmbël, sikur guri të kishte marrë frymë për herë të parë.
Rodin nuk modeloi thjesht trupat – ai modeloi momentin e dorëzimit, çastin kur dy shpirtra pushonin së kundërshtuari universin dhe shkrinin në një.

Njëzet vite më vonë, Gustav Klimt do ta lëshonte këtë akt sublim në krahët e artit të tij, me “Puthjen” e vet (1908–1909), një shpërthim i artë simbolizmi dhe sensualiteti, ku pasioni vishet me ar dhe mister. Por, megjithë shkëlqimin e tij, Klimt nuk arriti të prekë thellësinë e Rodin-it. Ai e sublimoi ndjesinë, e zbukuroi, por nuk e përvëloi; nuk i dha botës atë përkulje të përjetshme përpara dëshirës, atë përjetim të mishëruar që Rodin e derdhi në mermer si një hymn ndaj dashurisë njerëzore.
Rodin mbeti themeltari dhe i pambërritshmi. Ai i dha skulpturës frymë, e shndërroi gurin në lëkurë, mermerin në prekje, heshtjen në psherëtimë. Ai nuk kërkoi të përmbyste të kaluarën, por ta ringjallte me pulsimin e njeriut të gjallë, ta çlironte nga forma e ngrirë e akademizmit për t’i dhënë një shpirt të drithshëm.
Megjithëse konsiderohet paraardhës i skulpturës moderne, Rodin nuk ishte rebel, por rilindës në kuptimin më të thellë: ai i dha trupit njerëzor dinjitetin hyjnor që arti e kishte harruar.
Në duart e tij, balta u bë frymë, gropa u bë ndjenjë, dhe çdo rrudhë e formë mori frymën e jetës që nuk rri, që nuk hesht, që kërkon dashurinë si shëlbim.
“Puthja” e tij mbetet, ende sot, përkthimi më i përsosur i afërsisë njerëzore, një testament i asaj që arti mund të bëjë kur dashuria dhe skulptura shkrihen në një: të ngrohin mermerin, të bëjnë të gjallë të përjetshmen.