Albert Vataj
Në maj të vitit 1953, Martin Heidegger mbajti një konferencë të titulluar “Kush është Zarathustra i Nietzsche-s?”. Në hapje ai kërkoi diçka të thjeshtë, por thelbësore: heshtjen. Një ftesë që duket e pazakontë për një auditor filozofik, por e domosdoshme për të hyrë në një botë ku fjala nuk është vetëm fjalë, por ngjizje e mendimit dhe rrugëtim drejt qenies. Heshtja është parathënia e çdo pyetjeje që kërkon vërtet përgjigje.
Në dukje, përgjigjja për pyetjen mbi Zarathustrën është e lehtë, ai shfaqet qartazi në faqet e Nietzsche-s, në librin madhor Kështu fliste Zarathustra (1883–1885), të cilit autori i vuri si nëntitull formulën enigmatike: “Një libër për të gjithë dhe për askënd.” Por, siç vëren Heidegger, ky nëntitull është çelësi i parë i misterit.
“Për të gjithë”, nuk do të thotë për këdo në kuptimin banal.
Nuk është një fjalë që fton çdo kureshtar të hapë librin, por një thirrje për çdo njeri që kthehet tek vetvetja, që guxon të shikojë në pasqyrën e qenies së tij, në vendin ku lind pyetja e rëndë: kush jam unë? Vetëm ai që ka aftësinë dhe guximin të mendojë është i ftuar në këtë udhëtim.
“Për askënd”, është përjashtimi i të gjithëve atyre që afrohen tek Nietzsche vetëm për hir të tingullit të fjalës, të pushtuar nga magjia e stilit herë poetik, herë rrëmbyes, pa ecur dot as edhe një hap në shtegun e mendimit. Për ta, Zarathustra mbetet një retorikë e zbrazët. Libri nuk u flet, sepse ata nuk janë gati të dëgjojnë.
Por Nietzsche, ky shpirt i ndrojtur dhe i brishtë, e dinte se mendimi shpesh nuk mund të mbetet thjesht i qetë. Heidegger sjell një vëzhgim goditës: “Ai që jep mësim duhet ndonjëherë të flasë fort, madje të klithë, edhe kur bëhet fjalë për gjëra aq të heshtura sa mendimi.” Dhe Nietzsche e përjetoi këtë, dhimbjen e të qenit i detyruar të klithte, për të zgjuar një botë të fjetur, por edhe për të mbrojtur vetë mendimin që, ndryshe, do të humbiste në apatinë e turmës.
Zarathustra, pra, nuk është një figurë mitike e shpikur për të zbukuruar tekstin, as thjesht një alter ego e autorit. Ai është zëri i vetë mendimit që klith për t’u bërë i dëgjuar. Ai është profeti poetik që flet me pathos dhe njëkohësisht mësuesi i madh që kërkon heshtjen e brendshme për të hyrë në thellësinë e fjalës.
Në fund, Heidegger na e kthen pyetjen: “Kush është Zarathustra?” Nuk është një personazh që e lexojmë dhe e mbyllim bashkë me librin. Zarathustra është një pasqyrë që na drejtohet. Ai është për ne, për të gjithë ne, nëse guxojmë të mendojmë, dhe për askënd, nëse mjaftohemi me sipërfaqen e fjalëve.