Nga Albert Vataj
Në çdo qytet që ka ditur të ruajë veten, ekziston një sy që fikson kujtesën dhe një dorë që ia beson atë dritës të vetëtimtë të blicit. Për Shkodrën, qytetin ku fotografia nuk është vetëm zanat por trashëgimi, Angjelin Nënshati ishte një nga ata që bënë të mundur, që e shkuara të mos mbetej kurrë e verbër, por të kishte vendin e merituar në kujtesën e qytetit. Ai ishte aty për të kapur çastin, për ta kthyer në dëshmi, për ta bërë pjesë të një rrëfimi më të madh se individi, rrëfimit të qytetit, të familjes, të kombit. Pa të, shumë nga ato që ne sot kujtojmë do të ishin thjesht fjalë të humbur, momente përjetimi që u ngulitën në kujtesë por jo me të njëjtën forcë vërtetësie dhe pashpërbëshmërie sa në blicin e atyre shkrepjeve, pas së cilave qëndronte jo vetëm momenti me qasjen për të mbetur i përgjithmonshëm në ndërmendje, por edhe shpirti që thërret zërin e pamshmërisë të dëshmojë besnikërisht dhe pagabueshmërisht.

Angjelin Nënshati nuk ishte thjesht një fotograf i Shkodrës, por u bë syri i saj kolektiv, kujtesa vizuale e një qyteti që gjithnjë e ka ndier nevojën të ruajë përmes imazhit ritmet e jetës, ngjarjet e rëndësishme, gëzimet familjare, dhimbjet e përbashkëta dhe shenjat e kohëve që ndryshonin. Në përvjetorin e ndarjes së tij nga jeta, ai kujtohet si një prej personaliteteve më të përkushtuara të fotografisë shqiptare, që me punën dhe pasionin e tij e tejkaloi kufirin e një kohe për t’u bërë pjesë e gjithëkohësisë së kujtesës sonë kulturore.
I lindur më 12 shkurt 1929 në Shkodër, Nënshati kreu shkollimin fillor e të mesëm në qytetin e lindjes, fillimisht në Kolegjin Saverian dhe më pas në gjimnazin “28 Nëntori”. Dashuria e tij për fotografinë nisi herët, që në moshën 14-vjeçare, kur pati rastin fatlum t’i binte në dorë një aparat fotografik. Qysh atëherë, ai nisi të shihte botën jo vetëm me syrin e njeriut të zakonshëm, por me syrin e artistit që di ta ndalë kohën. Formimi i tij u përforcua pranë mjeshtrit Pjetër Rraboshta, i cili i dha bazat e punës laboratorike dhe i hapi një horizont të ri profesional.

Nga viti 1948 deri më 1957, për arsye të rrethanave politike dhe bindjeve të tij demokratike e fetare, punoi si arsimtar në Pukë e Shkodër, por asnjëherë nuk u shkëput nga pasioni i fotografisë. Pikërisht në Pukë, ai ngriti laboratorin e parë fotografik, duke i dhënë jetë një hapësire ku arti dhe mjeshtëria u ndërthurën natyrshëm.

Pas vitit 1958, kur fotografia u shtetëzua, Nënshati u bë pjesë e kooperativës shtetërore të fotografëve, ku do të kontribuonte deri në vitin 1989. Me një punë të palodhur dhe një sy gjithmonë të vëmendshëm, ai shndërroi aparatin fotografik në mjet dokumentimi historik, duke ndjekur nga afër çdo ngjarje të qytetit, çdo aktivitet shoqëror, kulturor dhe politik, çdo ceremoni fetare apo familjare. Aktiviteti i tij ishte më shumë jashtë studios sesa brenda saj, duke e afruar gjithnjë me jetën e gjallë të komunitetit.

Në vitet ’70, bashkë me Gegë Marubin, ai dhuroi fondin e tij fotografik, i cili sot ruhet në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”. Ky fond, i pasuruar më tej prej tij, përmban mbi 228.000 imazhe të realizuara kryesisht në film 24x36mm, një thesar i paçmuar që mbart në vete kujtesën gjysmë shekulli.
Nënshati ishte dëshmitar i shumë kthesave të mëdha historike. Me aparatin e tij dokumentoi lëvizjet demokratike të fillimviteve ’90, rihapjen e kishave dhe xhamive, rikthimin e kremtimeve fetare, dhe momente që i dhanë Shqipërisë shpresë pas një periudhe të gjatë izolimi. Në vitin 1993, syri i tij i pavetëdijshëm për madhështinë, por i ndjeshëm ndaj historisë, fiksoi vizitën e Papa Gjon Palit II dhe Nënë Terezës në Shqipëri, një ndër ngjarjet më të rëndësishme të kohës së re.

Autori i fotos asht i ndjemi Mjeshtër shkodran, Angjelin Nenshati. Në oborr të Kishës, kur besimi tashmá asht k’ndellë mbas dimnit të gjatë (1967-1990). Në këtë kishë, janë pagëzue 2 meshtarë, të lemë në këtë katund: vllaznit, At Kostandini (1916) e
Fra Shtjefen Pistulli (1922) në fillimin e shekullit ’20. Kurse Imzot Simon Kulli
e Dom Marjan Lumçi e kanë marrë sakramentin e pagëzimit prej Moter Marije Kaletës, kur besimi qe i ndalun e kisha e mbyllun. Edhe unë jam pagëzue e krezmue në këtë kishë.
Foton që mua më erdhi si dhuratë, po e bashkëndaj, së pari me pistullorët, kudo ku janë.
Më 1996, së bashku me djemtë e tij, ai hapi studion fotografike “Nënshati”, duke i dhënë vazhdimësi një tradite që nuk u ndërpre asnjëherë. Krahas fondit të ruajtur në arkivat shtetërore, familja e tij zotëron një koleksion të pasur fotografish me ngjyra, që plotësojnë tablonë e një vepre monumentale.
Edhe pse nuk iu dha ndonjë titull i madh zyrtar, Angjelin Nënshati mbetet mjeshtër i vërtetë, një figurë që Shkodra dhe Shqipëria e kanë nderuar me vetë përjetësimin e veprës së tij. Ai është një faqe e gjallë në historinë e fotografisë sonë, një dëshmi e palëkundur e faktit se fotografia nuk është vetëm art, por edhe kujtesë, identitet dhe përjetim.

Në foto Leon Nenshati, Mikel Prennushi, Michel Setboun dhe Angjelin Nenshati te rrënojat e Kishës së Zojës, 1991
Më 13 shtator 2005, Angjelin Nënshati u nda nga jeta. Por fotografitë e tij vazhdojnë të flasin, të na rikthejnë te çastet e humbura, të na mësojnë se kohën mund ta sfidosh vetëm duke e ndalur brenda një imazhi. Për këtë arsye, ai mbetet i pavdekshëm, jo vetëm në celuloidin e mbushur me mijëra momente, por edhe në shpirtin e një qyteti që e konsideron si një prej kujtesëtarëve të tij më të mëdhenj.

anni 66 – 67 foto Ded Jakova
Ka njerëz që shkojnë, por lënë pas gjurmë të padukshme. Ka të tjerë, si Angjelin Nënshati, që lënë pas gjurmë të dukshme, të prekshme, të pavdekshme. Në secilën prej fotografive të tij gjendet një copëz kohe e bërë e përjetshme, një çast që nuk do të mund të përsëritet kurrë, por që falë tij nuk humbi. Ai nuk ishte vetëm një mjeshtër i objektivit, por edhe një dëshmitar i ndershëm i jetës, një njeri që dinte t’i jepte fytyrë historisë përmes artit të thjeshtë e të madh të fotografisë.
Nëse Shkodra ka sot një kujtesë vizuale kaq të pasur, është sepse Angjelin Nënshati jetoi me bindjen se imazhi është më i fortë se harresa. Dhe kjo e bën atë një emër që nuk shuhet kurrë.
***



Si sot 25 vite më parë përkujtohet rihapja e dyerve të Xhamisë së Plumbit në Shkodër. Dita kur rinia dhe qytetaria shkodrane, me besimin e të parëve në zemër dhe përuljen ndaj Zotit, rihapi dyert e Xhamisë së Plumbit duke rihapur njëherësh dyert e shpresës dhe optimizmit për mbarë Shqipërinë.
Fotografia © Angjelin Nenshati, 16.11.1990

© Angjelin Nenshati, Manifestim në ditën e pionerëve, film rul, 24x36mm, 1971
