Nga Albert Vataj
Protezat e George Washington, nuk janë thjeshtë një objekt muzeal. Përtej stendës së ekspozimit, një histori e gjatë ngulitet thellë në kohë.
Protezat dentare të George Washington-it nuk përbëheshin nga një set i vetëm, por nga disa modele të ndryshme të ndërtuara gjatë jetës së tij. Ato ishin një përzierje e çuditshme e materialeve të natyrës dhe mjeshtërisë rudimentare teknologjike të shekullit XVIII. Në to gjendeshin dhëmbë kafshësh të ndryshme, fildish i hipopotamit, i elefantit, madje edhe i walrusit, të cilët shërbenin si zëvendësues të fortë por aspak estetikë. Për më tepër, në disa raste u përdorën edhe dhëmbë njerëzorë, të blerë nga individë të varfër, përfshirë skllevër afro-amerikanë, siç dëshmohet në dokumentet e Mount Vernon. Ky fakt e ngarkon këtë artefakt historik me një dimension të errët etik, duke zbuluar mënyrën se si varfëria dhe skllavëria shfrytëzoheshin edhe në mjekësinë e kohës.
Struktura mbajtëse e protezave ndërtohej me metale të rënda, bronz, plumb, argjend e ar, që përbënin bazamentin dhe lidhjet. Ato përfshinin gjithashtu mekanizma të vegjël, si susta dhe bulona, të cilat i mbanin protezat të hapura ose të mbyllura. Këto mekanizma, megjithëse inovativë për kohën, i bënin protezat jashtëzakonisht të pakëndshme dhe shpeshherë torturuese për përdoruesin. Nuk është rastësi që Washingtoni shfaqej gjithnjë me një shprehje serioze, madje të rënduar, dhimbja fizike ishte shoqëruesja e përhershme e buzëqeshjes së pamundur.
Washingtoni kishte vuajtur nga probleme dentare që në rini. Në ditën e inaugurimit të tij presidencial më 1789, ai kishte vetëm një dhëmb natyral të mbetur. Portreti i famshëm “Athenaeum”, që sot gjendet i shtypur në kartëmonedhën njëdollarëshe, e tregon qartë deformimin e fytyrës së tij, i shkaktuar nga protezat e vështira. Ato i pengonin të fliste qartë, e bënin të shfaqej i ngurtë në publik dhe e lodhnin me dhimbje të vazhdueshme, në një kohë kur nuk ekzistonin as anestetikët, as trajtimet moderne për dhimbjen.
Miti i famshëm se dhëmbët e Washingtonit ishin prej druri është një shpikje popullore, e lindur ndoshta nga fakti se fildishi me kalimin e kohës nxinte dhe merrte një nuancë të drunjtë. Për më tepër, folklori amerikan dhe tekstet shkollore preferuan një version më të thjeshtë e “romantik” të historisë, duke zbutur kështu realitetin e hidhur të një presidenti që vuante në heshtje dhe të një shoqërie që shfrytëzonte trupin e më të varfërve për të lehtësuar dhimbjet e më të pasurve. Një dokument i vitit 1784 tregon se Washington kishte paguar skllevër për dhëmbë që më pas u përdorën në protezat e tij ose të dentistëve të kohës, një dëshmi e qartë e paradoksit moral që shoqëron figurën e tij dhe brezin e themeluesve amerikanë, predikimi i lirisë dhe shfrytëzimi i skllavërisë.
Protezat e Washingtonit nuk janë thjesht një kuriozitet historik. Ato përfaqësojnë një kapitull të dhimbshëm të jetës personale të një figure madhështore, që pas lavdisë publike fshihte një vuajtje të përditshme dhe një pamje të deformuar nga teknologjia e pamjaftueshme e kohës. Njëkohësisht, ato janë një kujtesë e kontradiktave të një epoke, ku idealet e lirisë bashkëjetonin me praktikat më çnjerëzore të shfrytëzimit.
Në fund, protezat e Washingtonit janë një metaforë e dyfishtë: dëshmi e evolucionit të mjekësisë, që nga zgjidhjet rudimentare e deri te teknologjitë moderne që sot i marrim të mirëqena; por edhe simbol i paradoksit njerëzor, se edhe themeluesit e një kombi të lirë mbeteshin të burgosur të dhimbjeve të tyre dhe të varësisë nga padrejtësitë e kohës.