Gilgameshi, mbreti i madh i Urukut, sundoi me dorë të hekurt, duke mbjellë frikë e dhimbje te populli që duhej ta mbronte. Ishte gjysmëperëndi e gjysmë-njeri, por krenaria e tij, pushteti dhe etja për lavdi e kishin larguar nga njerëzimi. Ishte njeriu që mendonte se mund të sfidonte gjithçka, përfshirë edhe vetë fatin.
Por gjithçka ndryshoi me ardhjen e Enkidut, shokut, binjakut të shpirtit, njeriut të egër që u bë ura mes mbretit dhe njerëzores. Miqësia e tyre i dha Gilgameshit një përmasë të re: për herë të parë, ai mësoi se forca nuk qëndron vetëm te fuqia e krahut, por edhe te pranimi, besnikëria dhe dashuria.
Kur Enkidu vdiq, mbreti i pamposhtur u përball me armikun e vetëm që nuk mund ta mposhte me shpatë: vdekjen. Pikëllimi i thyeu krenarinë, e bëri të qajë si fëmijë dhe ta shohë jetën me sy të tjerë. I pushtuar nga ankthi i humbjes, Gilgameshi nisi një udhëtim epik në kërkim të pavdekësisë. Ai përshkoi shkretëtira dhe dete, sfidoi perëndi dhe njerëz, kërkoi te urtësia e Utnapishtimit, i mbijetuari i përmbytjes së madhe, sekretin e jetës së përjetshme.
Por ajo që gjeti nuk ishte pavdekësia e trupit, por një të vërtetë më të madhe: njeriu jeton përmes kujtimeve që lë, përmes veprave që ndërton, përmes dashurisë dhe mirësisë që mbjell. Pavdekësia është vetë kujtesa njerëzore.
I kthyer në Uruk, Gilgameshi nuk ishte më i njëjti. Ai nuk ishte vetëm një mbret i fortë, por një udhëheqës më i mençur, më i përulur, më njerëzor. Nga tiran u shndërrua në kujdestar të popullit të tij, duke kuptuar se lavdia e vërtetë nuk është të sundosh përjetësisht, por të lësh gjurmë të dashura që nuk i fshin koha.
Kjo histori, një nga kryeveprat më të hershme të letërsisë së shkruar, mbetet një testament i përjetshëm i brishtësisë dhe madhështisë njerëzore. Ajo na mëson se forca e vërtetë nuk është në përjetësi, por në përjetimet; jo në pushtet, por në dashuri; jo në pavdekësi, por në kujtesën që mbijeton.
Një epope që, edhe pas mijëra vitesh, na flet ende në të njëjtin gjuhë të shpirtit: se edhe zemra më e fortë thyhet nga dhimbja, dhe vetëm përmes saj mund të lindë mençuria.
Gilgameshi pa gjithçka, përjetoi gjithçka,
e kuptoi plotësisht sekretin e fshehur
të mençurisë, historinë e gjithçkaje që
ndodhi para përmbytjes…
(Nga pllaka e parë e “Epikës së Gilgameshit”)
Përgatiti: Albert Vataj