Nga Albert Vataj
Mbylli siparin në mesnatën e mbrëmshme me një atmosferë shpërthyese fetive, në një skenë gjigande me kënge dhe valle, “Vajza Fest 2025”, një event që nisi si takim brezash për t’u shndërruar në një traditë.
Për tre ditë me radhë, fshati Vajzë i Labërisë u shndërrua në një tempull arti, kulture dhe kujtese. Nga çdo anë e Shqipërisë, njerëzit u mblodhën për të festuar, për të kënduar dhe për të rikthyer në gjallëri hijen e rrënjëve të tyre. Aty ku polifonia ngjizet me gurin, ku vargjet e poetëve zgjohen bashkë me aromën e gjethes, ku loja e aktorëve përplaset me sfidën e garës, dhe ku malli për traditën gërshetohet me shijen e gatimeve, “Vajza Fest 2025” kurorëzoi një ngjarje që nuk është vetëm festë, por një kthim në burim, një ringjallje e fshatit si prag i kujtimeve të fëmijërisë, si strehë e shpirtit të përbashkët.

Në ditën e tretë të “Vajza Fest 2025”, atmosfera u ndez me një mbrëmje të vërtetë festive, ku fshati Vajzë u bë skenë e dritës, këngës dhe artit. Banorë të fshatit, miq nga zonat përreth, të ardhur nga çdo skaj i Shqipërisë dhe diaspora, u mblodhën për të ndarë emocionin e këtij manifestimi kulturor.
Ceremonia nisi me përshëndetjet e personaliteteve dhe të ftuarve të nderit, për të vijuar me një valle solemne të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve, që ndezi duartrokitjet e publikut. Në skenë u ngjit aktori i mirënjohur Gent Hazizi, i cili me zërin dhe shpirtin e tij u bashkua me grupin polifonik të fshatit Vajzë, duke sjellë një këngë që përqafoi traditën dhe artin në një tingull të vetëm.

Magjia e mbrëmjes u gjallërua më tej me numrat e cirkut, që sollën gëzim dhe entuziazëm, duke përfshirë publikun në lojën e spektaklit. Një moment i veçantë ishte përshëndetja e ikonës së skenës shqiptare, Luiza Xhuvani, e cila me fjalët e saj e bëri mbrëmjen edhe më të ndjeshme. Pas saj, polifonia e grupit “Djemtë e Delvinës” u bë jehonë e shpirtit jugor.
Emocione të tjera sollën Maya dhe West Side Family, të cilët ndezën skenën me energjinë e tyre, ndërsa Grupi i Dukatit solli meloditë e rrënjës dhe traditës.

Në këtë mbrëmje madhështore nderuan me praninë e tyre personalitete të politikës, kulturës, artit dhe sportit, të cilët përshëndetën dhe falënderuan organizatorët, duke vënë në pah historinë, trashëgiminë, kulturën dhe traditat e fshatit Vajzë, thesare të gjalla që e bëjnë atë një qendër krenarie dhe përfaqësimi për mbarë Vlorën dhe Shqipërinë.

Kjo fest, tashmë në vitin e tij të tretë, nuk mjaftohet të jetë thjesht një traditë. Ai është dëshmi dhe shembull i gjallë se si mund të rikthehemi te vendlindja, te kujtimet dhe te rrënjët, që rrepet e lashtë të Vajzës të mos mbeten vetëm simbole hijerënda, por të vazhdojnë të qëndrojnë në këmbë, duke u bërë shenjë e një vazhdimësie brezash. Nga 22 deri më 24 gusht, nën kujdesin e posaçëm të Bashkisë Selenicë, Nertil Bellaj, Vajza nuk ishte më thjesht një fshat, ajo u bë një skenë e hapur ku fryma e Labërisë u ngjit në qiell si këngë dhe u shtri në tokë si kujtesë.

Në rrëzë të Amantias së lashtë, mbi gurët që kanë mbajtur mbi shpinë legjendën e Ilirisë, në gjirin e gjelbër të natyrës, “Vajza Fest 2025” u ngrit si një ftesë për ta përjetuar kulturën shqiptare jo si një kujtim të zverdhur në faqe librash, por si një frymëmarrje të gjallë që rrah në çdo varg polifonik, në çdo valle, në çdo tingull fyelli apo lahute.

Çdo hap i vizitorit është një udhëtim i dyfishtë: në të tashmen festive dhe në të shkuarën e lavdishme që rron nën gurë. Dhe mbi këtë sfond jehon ende vargu i Ali Asllanit: “Në krye të fshatit ka një delí krua, uj’ i tijja akull derdhet në përrua…”

Një këngë e gdhendur në poezi, që edhe sot mbart freskinë e shpirtit të Vajzës.
“Vajza Fest 2025” nuk është thjesht një event aktivitetesh artistike. Është takim brezash, është shkrirje e traditës me frymën bashkëkohore, është dëshmi se historia nuk rron vetëm mes faqeve të librave apo nën rrënoja të heshtura, por merr jetë mes këngës, lojës, artit dhe kujtesës kolektive. Në fundin e gushtit, ky fshat i vogël i Labërisë u ngrit si kryeqyteti i kulturës shqiptare, duke treguar se edhe qendra e botës mund të jetë një vend i vogël, për sa kohë mbart madhështinë e shpirtit dhe jehonën e kujtesës.

Që gjithçka kaq domethënëse dhe e bukur, kaq shprehëse dhe frymëzuese, kaq origjinale dhe kaq përjetuese, do të bëhej e mundur nga ideatorët dhe organizatorët, nga ata që janë shpirti i kësaj feste, zemra e gjallë e kësaj thirrje për të kujtuar dhe fetuar, kryebashkiaku, Selenicë, Nertil Bellaj, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, shoqata e fshatit Vajzë, dhe patjetër me punën e shkëlqyer të atij që ishte truri i mekanizmit të këtij eventi, biri i Vajzës, Armando Bora.
