Nga Albert Vataj
Ka gra që ecin mbi tokë si mbi një pentagram të padukshëm; çdo hap i tyre është një notë, çdo frymëmarrje është një varg, dhe çdo fjalë është një këngë që koha nuk mund ta shlyejë. Njëra prej tyre është Zhuliana Jorganxhi.
Në oborret e ndritshme të kujtesës kombëtare, aty ku fjala bëhet lutje dhe melodia bëhet fluturim, ngrihet e bukur dhe solemne figura e një zonje që i ka kushtuar jetën e saj fjalës, Zhuliana Jorganxhi.
E lindur në Korçën e serenatave dhe ëndrrave të buta, bijë e një familjeje ku arti nuk mësohej, por merrej me qumështin e nënës, ajo hyri në tempullin e poezisë si një priftëreshë e thirrur nga vetë Muzat. Dhe Muzat nuk e lanë më kurrë.
Që në moshën e rinisë, vargu i saj nuk njohu as frikë, as drojë. Ai erdhi i pastër si burim mali dhe i thellë si deti, duke u bërë udhërrëfyes i ndjenjave të një brezi. Në librat e saj, fjala u rrit si pemë e mirë; në këngët e saj, meloditë morën aromën e dashurisë dhe të lirisë. “Jon”, “Kthehu për vete, për mua”, “Ne, bijtë e lirisë” – nuk janë thjesht tituj, por faqe të himnit tonë emocional, kënduar në festa e në sheshe, në dashuri dhe në rebelim.
Ajo i dha dashurisë gjuhën e vargut, i dha lirisë zërin e këngës dhe i dha kohës kujtesën e bukurisë. Në mërgimin e saj në Trieste, nuk e ndau kurrë zemrën nga atdheu; çdo poezi ishte një urë, çdo këngë – një flamur që valëvitej mbi brigjet e largëta.
Nga faqet e librave tek tingujt e festivaleve, ajo krijoi një univers ku fjala është dritë, kënga është zemër, e dashuria, flamuri i vetëm që nuk ulet kurrë. Në qindra tekste këngësh, që u bënë himne të dashurisë, të lirisë e të shpresës, ajo ia fali zërin brezave, u bë rrëfimtarja e emocioneve të tyre dhe kumtarja e ëndrrave kolektive. Me vargjet e saj u shkrua gjeografia e ndjenjës shqiptare – nga valët e Jonit te bulevardi i protestave të Dhjetorit ’90.
Si poete, si krijuese, si grua e fjalës dhe e shpirtit, Zhuliana Jorganxhi ka qenë gjithmonë një urë, mes traditës dhe modernes, mes tokës amtare dhe brigjeve ku jeta e solli, mes artit që ajo kultivoi dhe brezave që e trashëgojnë. Në librin Zëri i shpirtit tim ajo vetë e dëshmoi se arti nuk është profesion, por gjendje shpirtërore që nuk shuhet as nga vitet, as nga largësia.

Ajo nuk është thjesht një emër në faqet e letrave shqipe, por një stacion i ndjenjës kombëtare, një faltore ku fjala merr dritë, melodia merr frymë dhe dashuria bëhet e prekshme.
Për kontributin e madh për këngën shqipe, për përkushtimin dhe atdhetarizmin e saj, dhe për angazhimin e saj si intelektuale e vijës së pare, me mirënjohjen ndaj punës së çmuar si artiste e fjalës shqipe; për krijimtarinë e saj të begatë me përkushtim dhe atdhetarizëm për këngët shqiptare, duke dhënë shembullin si frymëzuese dhe pararendëse e një brezi të mrekullueshëm krijuesish. Në vlerësim të veprës si intelektuale e vijës së parë, e cila përmes mesazheve dhe kumteve të saj, ndihmoi në veçanti për emancipimin e gruas dhe rinisë shqiptare, Zhuliana Jorganxhi është nderuar nga Presidenti i Repiblikës, me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.
Në ditën e saj, e përshëndesim jo vetëm si një poete të madhe, por si një udhëtare të shpirtit, që din të gjejë fjalën e duhur edhe aty ku të tjerët gjejnë vetëm heshtje. Dhe i urojmë jetë të gjatë, frymëzim të pashtershëm, sepse kombi që ka poetë si Zhuliana Jorganxhi, ka gjithmonë një arsye për të ëndërruar, për të dashuruar dhe për të kënduar.