Nga Albert Vataj
Astrit Fani, nuk vjen nga një epokë legjendash, nuk del nga trilli i imagjinatës, edhe pse thellë misonin e tij e mishëron një shpirt i ardhur nga thellësi e kohës, nga e djeshmja, e cila në ikje përpiqet të marrë me vete atë që i përket. Por jo, ky hi në këtë largim të etershëm e ka të pamundur të rilind si një Sfinks, pa zjarrin që ka fshehur në pasionin e atyre që u ngjizën prej këtij farkëtimi, që u ushqyen nga llava e kësaj magme.
Vitet në këtë teatër e kanë shndërruar Astritin si një gjymtyrë e kësaj krijese mitike, e cila duhet të mbahet në jetë përmes pulsit të çdoditshëm, krijues dhe interpretues, komunikues me publikun dhe përfaqësues të vlerave dhe veprave, por edhe të dëgjojë pëshpërimën e atij zëri të largët që vjen të na thërrasë në zgjim, duke na blatuar shpirtin krijues si një shërbesë e shenjtë përjetësie. Sepse ne i përkasim të sotmes, siç nuk mund të jetë e plotë ajo pa mëkimin e së djeshmes dhe urdhëresën për të nesërmen.
Në historinë e njerëzimit, ka figura të rralla që zgjedhin të jetojnë në hijen e veprës së madhe që mbrojnë, duke e parë veten jo si pronarë të saj, por si shërbëtorë të përkushtuar. Këta janë rojet e tempullit të kujtesës, ata që përballen me harresën njësoj si kalorësit me errësirën, të bindur se çdo copë e së shkuarës është një gur i çmuar në themelin e së ardhmes.
Astrit Fani është një prej këtyre njerëzve. Aktor me një jetë në skenë, por edhe një rojtar që prej më shumë se një dekade mban çelësat e arkivit të Teatrit “Migjeni”. Një arkiv që nuk është thjesht një vend fizik, por një labirint i kujtesës, i ngjashëm me atë bibliotekë të famshme të “Emrit të Trendafilit” të Umberto Ekos, ku murgjit e ruanin me fanatizëm librin e shenjtë nga duar të papërshtatshme, duke besuar se në ato faqe ndodhej një fuqi që duhej mbrojtur me çdo kusht.
Si në romanin e Ekos, ku humbja e bibliotekës në flakët e zjarrit simbolizonte humbjen e një bote të tërë dijesh, edhe arkivi i “Migjenit” bart një rrezik të ngjashëm, pa kujdesin e duhur, pa ruajtje profesionale dhe pa digjitalizim, gjithçka mund të shndërrohet në hi të heshtur, duke lënë pas vetëm kujtimin e asaj që dikur ishte. Dhe Fani e di këtë.
Si rojtar i tempullit të teatrit, Fani nuk mbron vetëm dokumente, afishe apo fotografi, ai ruan shpirtin e skenës. Çdo fotografi është një dritare e vogël drejt një kohe të humbur, çdo program shfaqjeje është një faqe e një libri të madh, që nuk duhet të shlyhet. Për këtë arsye, ai ka ngritur zërin për domosdoshmërinë e digjitalizimit, që kjo pasuri të mos jetë e burgosur në raftet e arkivit, por të udhëtojë lirshëm në hapësirën e pakufishme të dijes publike.
Në legjendat e lashta, rojtarët e tempujve mbanin jo vetëm çelësat, por edhe betimin e shenjtë për të mos lejuar kurrë shkatërrimin e shenjtërores. Sot, betimi i Fanit është tjetër: të mos lejojë që kujtesa e teatrit të shuhet nga harresa teknologjike. Në vend të shpatës, ai ka metodën; në vend të armaturës, ai ka përkushtimin; dhe në vend të mureve të gurta, ai ngre muret e padukshme të arkivimit dhe digjitalizimit, për t’i mbrojtur thesaret artistike nga zhdukja.
Teatri është arti më i përkohshëm nga të gjitha, një skenë, një natë, një publik, dhe më pas mbetet vetëm kujtesa. Por, kur kujtesa ruhet me dashuri dhe përkushtim, shfaqja nuk mbaron kurrë. Astrit Fani e bën të mundur këtë: ai është murg në bibliotekën e tij, kalorës në fortesën e tij, rojtar në tempullin e tij. Dhe derisa ky tempull të ketë rojen e tij, historia e Teatrit “Migjeni” do të vazhdojë të flasë, jo vetëm me gjuhën e skenës, por edhe me gjuhën e kujtesës së përjetshme.