Nga Albert Vataj
U nis në rrugëtimin e jetës që 31 vite më parë, jo si fëmijë i lindur, por si një embrion i krijuar në një laborator nga dy prindër që ndanin një ëndërr për të zgjeruar familjen. Por jeta mori rrjedha të papritura: çifti u nda, dhe ajo që dikur ishte një përpjekje bashkëshortore për t’u bërë prindër, mbeti në kujdesin dhe në ndërgjegjen e një gruaje të vetme.
Sot, Thaddeus Daniel Pierce, fëmija që dikur ishte vetëm një grimcë shprese e ngrirë në kohë, vjen në jetë vetëm me një nënë në sfondin biologjik të kujtesës, ndërsa prindërit që e krijuan nuk janë më bashkë. Ai është një fëmijë i lindur nga kujtimi i një dashurie të shkuar, nga një vendim i vetmuar, por plot përgjegjësi, dhe nga fuqia e jashtëzakonshme e shkencës për ta mbajtur jetën në pritje – deri kur një tjetër nënë, Lindsey Pierce, i dha atij një mitër, një shtëpi dhe një të ardhme.
Më 26 korrik 2025, në shtetin e Ohajos, SHBA, erdhi në jetë Thaddeus Daniel Pierce, një fëmijë që tashmë ka hyrë në histori si “foshnja më e vjetër” në botë – jo për moshën e lindjes, por për kohën kur u krijua: embrioni i tij ishte ngrirë që në vitin e largët 1994, plot 31 vite më parë.
Thaddeus është frut i një udhëtimi të pazakontë biologjik dhe emocional, që përfshin jo vetëm progresin e shkencës së riprodhimit, por edhe dimensione etike, njerëzore dhe shpirtërore.
Në fillim të viteve 1990, çifti Linda dhe jej bashkëshorti iu nënshtruan procesit të fekondimit in vitro (IVF). Ata arritën të krijonin katër embrione të shëndetshme. Njëri prej tyre u transferua dhe rezultoi në lindjen e një vajze – motra biologjike e Thaddeus, që sot është 30 vjeçe.
Tre embrionet e mbetura u ruajtën në ngrirje kriogjenike, me shpresën e një shtatzënie të ardhshme. Por rrjedha e jetës ndryshoi: çifti u nda, dhe Linda, e vetme dhe tashmë në menopauzë, u përball me një vendim të vështirë: çfarë të ndodhte me embrionet e mbetura?
Në vend që t’i dhuronte për kërkime shkencore apo t’i linte në dispozicion të ndonjë çifti anonim, Linda zgjodhi një rrugë të tretë dhe të veçantë: “adoptimin e embrioneve”, një praktikë ende e rrallë, por me përhapje në rritje në SHBA.
Vendimi i Lindës ishte i ndërgjegjshëm dhe i motivuar edhe nga bindje të thella etike e fetare. Ajo kërkoi ndihmën e agjencisë “Nightlight Christian Adoptions”, një organizatë e profilizuar në procesin e adoptimit të embrioneve përmes një kuadri vlerash të krishtera dhe mbikëqyrjeje morale.
Kriteret që Linda vendosi për prindërit e ardhshëm ishin të qarta: një çift i martuar, i krishterë, me prejardhje kaukaziane – dhe këto kërkesa i plotësonin Lindsey dhe Tim Pierce, një çift nga Ohajo. Embrioni u vendos me sukses në mitrën e Lindsey në nëntor 2024, dhe pas nëntë muajsh lindi Thaddeus, një fëmijë i shumëpritur, por edhe dëshmi e një zgjatjeje kohore të jetës që vetëm shkenca moderne mund ta bëjë të mundur.
Rasti i Thaddeus hap një kapitull të ri në dialogun për kufijtë e jetës, prindërisë dhe trashëgimisë njerëzore. Çfarë do të thotë të lindësh nga një embrion që i përket një epoke tjetër? Si ndikon kjo në konceptin e identitetit dhe kohës? Çfarë vendi zë “adoptimi i embrionit” në raport me adoptimin klasik apo me riprodhimin me ndihmë?
Ky fëmijë, që në thelb është bashkëkohës biologjik me të rinjtë e lindur në vitin 1994, por që jetën e nisi në 2025, përfaqëson një nyje të thellë ndërmjet kohës së ngrirë dhe së tashmes që ecën.
Kjo nuk është hera e parë që embrionet e ngrira sjellin në jetë foshnje pas dekadash pritjeje. Në vitin 2020, një tjetër rekord ishte vendosur nga një embrion 27-vjeçar. Megjithatë, rasti i Thaddeus Daniel Pierce, me 31 vjet pritje, është aktualisht më i gjati i dokumentuar, çka i jep një dimension të ri mbijetesës dhe jetëgjatësisë së materialit biologjik në përkujdesjen e teknologjisë.
Ky rast është një testament i fuqishëm i bashkëpunimit mes besimit, shkencës dhe vullnetit njerëzor. Ai flet për mrekullinë e jetës, të ruajtur në një ngrirje afatgjatë, por të ndezur në shpresën që dikur do të ketë një mundësi për të marrë frymë.