Në një kohë kur përparësia u jepet dijeve teknike dhe fitimeve praktike, ndjenjat rrezikojnë të mbeten jashtë çdo plani edukativ, të shpërfillura si mbetje të një sentimentalizmi të vjetruar. Por a mund të ndërtohet njeriu pa to? Umberto Galimberti, filozof i thellësive shpirtërore dhe një ndër mendimtarët më të ndjeshëm të kohës sonë, shtyn drejt një pyetjeje thelbësore: a edukojnë më familjet dhe shkollat për ndjenjat? Ai na kujton se ndjenjat nuk janë të lindura, por të mësuara, jo si teknika, por si udhëtime përmes tregimeve, miteve, letërsisë dhe përvojave të përshkuara nga fjalët që ndriçojnë errësirën e brendshme të njeriut.
“Ndjenjat mësohen. Të lashtët mësonin për ndjenjat përmes tregimeve mitologjike. Nëse shikojmë historinë greke, gjejmë të gjithë spektrin e ndjenjave të mundshme: Zeusi për pushtetin, Afërdita për dashurinë, Athina për inteligjencën, Apolloni për bukurinë, etj. E gjithë fenomenologjia e ndjenjave njerëzore ishte aty. Ne, nga ana tjetër, i mësojmë ato përmes letërsisë, ku mësojmë për dhimbjen, mërzinë, dashurinë, dëshpërimin, vetëvrasjen, pasionin dhe romancën. Por nëse letërsia nuk “frekuentohet” dhe librat nuk lexohen, nëse pakënaqësia në shkollë vendoset, atëherë ndjenjat nuk formohen. Dhe nëse kultura nuk ndërhyn, fëmijët mbeten në nivelin e impulsit ose, në rastin më të mirë, të emocionit.
Prandaj lind nevoja për të edukuar rreth ndjenjave, duke filluar me përrallat e fëmijëve ku ata mësojnë se çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe, dhe pastaj, ndërsa rriten, përmes shkollës, ku ata mësojnë nga letërsia të gjithë spektrin e ndjenjave, emrat e tyre dhe rrugët e tyre të mundshme. Dhe vetëm falë këtij sfondi kulturor mund të fitojmë ndjeshmërinë psikologjike të aftë për të dalluar të mirën nga e keqja, dashurinë nga urrejtja, pjesëmarrjen nga indiferenca. Por a edukojnë familjet dhe shkollat sot mbi ndjenjat? Kjo është pyetja që duhet t’ia bëjmë jo Zotit, por institucioneve tona arsimore.”
Galimberti nuk na jep një përgjigje, por na vendos përballë një pasqyre ku mungesa e edukimit ndijor bëhet një boshllëk që klith. Një kulturë që nuk mëson fëmijët të ndiejnë, është një kulturë që prodhon njerëz të ftohtë, që nuk ndjejnë përgjegjësi, empati, as dhembje për të tjerët. Mungesa e mitit dhe e letërsisë nuk është thjesht mungesë zbavitjeje, por humbje e një gjuhe të thellë shpirtërore me të cilën njeriu kupton vetveten dhe botën. Pyetja e Galimbertit është një thirrje e heshtur, një apel për të rikthyer ndjeshmërinë si përmbajtje të edukimit dhe si kusht për një shoqëri më humane. Dhe kjo nuk është një detyrë e Zotit, por e jonë, e çdo prindi, çdo mësuesi, çdo institucioni që pretendon të formojë njeriun.
Përgatiti: Albert Vataj