
Nga Albert Vataj
Ishte viti 2004 kur një vajzë 17-vjeçare, e panjohur për shumicën, përmbysi rendin e vendosur të tenisit botëror. Maria Sharapova jo vetëm që mundi Serena Williams në finalen e Wimbledon-it, por hyri me vrull në një botë ku triumfi i një gruaje të re shpesh kërkon një çmim më të lartë se trofeu. Ajo fitore do të niste jo vetëm një karrierë brilante, por edhe një narrativë të tensionuar, të përfolur, të shtrembëruar, të mitizuar. Dhe gjithçka nisi me një shtrëngim duarsh… që shumëkush këmbëngul se nuk ndodhi kurrë.
Në vitin 2004, një 17-vjeçare me emrin Maria Sharapova tronditi botën kur mundi Serena Williams me sete të pastra dhe fitoi Wimbledon-in, duke u bërë gruaja e tretë më e re që ngre trofeun. Por pas këtij përfundimi përrallor, një thashethemnajë i errët u përhap me shpejtësi: Se Sharapova kishte refuzuar t’i jepte dorën Serenës pas pikës së fundit.
Një komentator sportiv madje pretendoi se zyrtarët po “rrekeshin prapa skenave” kur Sharapova thuhej se kishte lënë fushën qendrore para kohe, duke shmangur shtrëngimin tradicional të duarve në një moment që u etiketua si “akti përfundimtar i sfidës adoleshente”. Forumet e tenisit shpërthyen. Ishte ndrojtje? Arrogancë? Apo një protestë e heshtur?
Titulli “Mbretëresha e ftohtë e fushës qendrore” pushtoi faqet e tabloidëve europianë.
Por e vërteta është kjo, asgjë nga këto nuk ndodhi.
Maria Sharapova i dha dorën Serenës, me klas dhe qetësi, teksa kamerat xhironin dhe miliona shikonin. Madje në intervista e vlerësoi Serenën, duke e quajtur “një nga konkurrentet më të mëdha që kam pasur ndonjëherë përballë”. Shtrëngimi i duarve ishte i hijshëm, edhe pse ndoshta pak i tensionuar, duke pasur parasysh përmbysjen e madhe që ndodhi.
Po atëherë pse u fabrikua kjo thashethemnajë?
Sepse Maria nuk ishte e destinuar të fitonte. Jo kundër mbretëreshës së padiskutueshme. Jo me atë vështrim të akullt, me atë gërshet të verdhë, me atë klithmë të pangurruar. Ajo prishi rendin, dhe kjo e bëri menjëherë një simbol, të sfidës, të dominimit, të diçkaje që tenisi nuk e kishte parë më parë.
Nuk ishte e ftohtë.
Ishte e kalkuluar. Dhe në moshën 17-vjeçare, ajo tashmë e kuptonte çfarë pritej nga një atlete femër dhe si ta çmontonte atë pritshmëri me një goditje rakete.
Fitorja e Sharapovës në Wimbledon më 2004 e shndërroi atë brenda natës në një ikonë globale, por gjithashtu ndezi një rivalitet me Serena Williams, i cili do të bëhej një nga rrëfimet më të përfolura të sportit moderne, si brenda, ashtu edhe jashtë fushës.
Dhe ndoshta, më e vërteta nga të gjitha: në sport, ashtu si në jetë, ndonjëherë duart shtrëngohen me klas… dhe mitet lindin pikërisht sepse dikush kishte guximin të ndryshonte rrëfimin.
Sot, 21 vite më pas, ajo fitore nuk është thjesht një faqe në histori. Është një ndarje ujërash në mitologjinë e sportit modern, ku një vajzë 17-vjeçare vuri në pikëpyetje jo vetëm hierarkitë e fushës, por edhe pritshmëritë që bota ka ndaj grave që guxojnë të fitojnë me stilin e tyre. Thashethemi për dorën që nuk u dha kurrë nuk ishte një lapsus mediatik; ishte një simptomë. E një sporti, e një publiku, e një epoke që nuk ishte gati të pranonte se ndonjë tjetër veç Serenës mund të shkëlqente në qendër të fushës, dhe aq më pak një vajzë me pamje prej modeleje dhe mentalitet prej kampioneje.
Sharapova nuk prishi vetëm një ndeshje. Ajo tronditi një status quo. E ndërtoi një emër jo mbi arrogancën, por mbi vetëdijen e ashpër të asaj që përfaqësonte: konkurrencë të ftohtë, intensitet estetik, dhe një narrativë të re për atletet femra, larg nënshtrimit, afër zotërimit. Kjo është arsyeja pse, edhe sot, ajo fitore është më shumë se një kupë e ngritur në qiellin londinez. Është një simbol i fuqisë për të mos kërkuar falje që je më e mira.