Nga Albert Vataj
Në Bolsena të Toskanës , Shën Kristina, Virgjëresha dhe Martire. Kjo virgjëreshë, duke besuar në Krishtin, kur theu idhujt prej ari dhe argjendi të babait të saj dhe ua shpërndau copat e tyre të varfërve, ajo u copëtua me urdhër të të njëjtit baba me kamzhik, u masakrua me tortura të tjera dhe u hodh në liqen me një peshë të madhe guri, por u shpëtua nga një engjëll. Pastaj, nën një gjykatës tjetër, pasardhësin e babait të saj, ajo duroi vazhdimisht tortura më të rënda; së fundmi … pas furrës së ndezur, ku qëndroi e padëmtuar për pesë ditë, pasi gjarpërinjtë u mposhtën nga fuqia e Krishtit, ajo përfundoi rrugën e martirizimit të saj … duke u shpuar me shigjeta.
Në kujtesën e Kishës dhe në përshpirtjen popullore, Shën Kristina është një nga ato figura që ndërthurin mrekullinë me dëshminë historike, një shenjtore që e tejkalon kohën duke jetuar në art, në rite, në legjenda.

Kristina jetoi në kohën e persekutimeve të Dioklecianit (243‑312), periudha kur perandoria kërkonte t’i nënshtrohej kultit pagan. Ishte bija e Urbanit, komandant i garnizonit në Bolsena. I ati, për ta mbajtur të bijën larg “besimit të të krishterëve”, e mbylli bashkë me 12 vajza të tjera në një kullë, ku ato duhej të shërbenin gjithë jetën si vestale, duke u lutur përpara idhujve.
Por 11-vjeçarja Kristina, e prekur tashmë nga Ungjilli dhe e ndriçuar, siç thonë rrëfimet, nga një vegim engjëllor, guxoi të thyente çdo idol, duke rrëzuar e copëtuar zotat e rremë.
I ati përdori premtime, dhurata, frikë dhe më pas dhunë të pamëshirshme për ta kthyer në fenë e të parëve. Ajo nuk pranoi. E arrestuan, e torturuan, e vendosën mbi rrota të zjarrta. Por nuk u thye. Legjenda thotë se engjëjt hynin në qeli për ta shëruar, dhe plagët i mbylleshin natën si me dorë qiellore.
Një nga episodet më të njohura të gojëdhënave është ai i mbytjes në liqenin e Bolsenës. I lidhën në qafë një gur të rëndë dhe e hodhën në ujë. Por dy engjëj, sipas traditës, e mbajtën gurin dhe e nxorën vajzën në breg, të gjallë e të paprekur. Në gur mbeti gjurma e këmbës së saj, një gjurmë që mund të shihet edhe sot në bazilikën që mban emrin e saj. Ky gur u bë altar, dhe mbi të kremtohet ende Eukaristia. Bolsena e nderon me një procesion madhështor që quhet “Misteret e Shën Kristinës”, ku me anë të tablove të gjalla, shfaqen episodet e martirizimit të saj.

Kryqëzimi i saj me vuajtjet të kujton historinë e Shën Sebastianit, që u qëllua me shigjeta. Edhe Kristinën, pasi i prenë gjirin dhe e dogjën mbi skarë, një nga xhelatët, i tronditur nga pamja e saj e pafajshme, e mbyti me shigjeta. Pikërisht këto skena janë fiksuar në pikturat e Sinjorelit, Kranahut, Veronezes dhe në skulpturat e Della Robbia-s, që e paraqesin me atributet e saj: palma e martirit, rrota e torturës, guri i rëndë dhe shigjetat.
Në Bolsena ndodhi gjithashtu një nga mrekullitë më të famshme eukaristike: gjatë Meshës, një prift që dyshonte për praninë reale të Krishtit, pa si nga hostia nisi të rridhte gjak mbi korporalin e bardhë. Ky korporal gjendet sot në Orvieto. Për këtë arsye, bazilika e Shën Kristinës është një vend pelegrinazhi unik, ku mrekullia, legjenda dhe arti bashkëjetojnë.
Emri i saj është përhapur shumë edhe ndër shqiptarë, duke u bërë simbol i guximit dhe besnikërisë ndaj të vërtetës. Në fshatra të ndryshëm të Shqipërisë, tregohen gojëdhëna se si “Shën Kristina mban mbi shpinë gurin e fesë”, ose si ajo del nga liqeni me petkat e bardha dhe shfaqet tek njerëzit e thjeshtë për t’i ndihmuar në ditë të vështira.
Kuriozitet: në disa legjenda mesjetare, Kristina quhet edhe “mjelmëshe”, sepse thuhej se shpirtin e saj e mori një mjelmë që fluturoi mbi Bolsena në çastin e martirizimit. Të tjera rrëfime tregojnë se fëmijët që nuk flasin dot, pasi i vizitojnë vendin e saj të shenjtë, marrin bekimin e fjalës.
Në çdo detaj të jetës së saj, nga kulla e mbyllur me idhuj e deri tek guri që u bë altar, Shën Kristina mbetet një dëshmi që besimi i vërtetë nuk mund të mbyllet as me hekur, as me zjarr, as me ujë. Ajo është një figurë ku historia dhe legjenda përqafohen, një shenjtore që frymëzon dhe sot, duke na kujtuar se edhe një vajzë e njomë mund të ndryshojë rrjedhën e shpirtit njerëzor.