Në bodrumin intim të Salon Indien, nën kupolën e Grand Café në Boulevard des Capucines, një turmë parisienësh kureshtarë po mblidheshin për një përvojë që askush nuk mund ta parashikonte. Një heshtje e ngazëllyer i parapriu shfaqjes. Para tyre qëndronte një ekran i bardhë, një sipërfaqe anonime, ende pa shpirt. Asnjëri nuk e dinte se do të bëhej dëshmitar i lindjes së një arti të ri.
Kur dritat u shuan dhe ekrani nisi të pulsonte me jetë, sytë e publikut u hapën për një pamje të thjeshtë, të zakonshme, thuajse modeste. Porta e një fabrike hapet dhe turma punëtorësh, kryesisht gra me përparëse e kapele, dalin duke qeshur e biseduar. Disa burra kalojnë me biçikleta. Një karrocë e tërhequr nga kuaj lëviz ngadalë në sfond. Por në atë çast, mrekullia ndodhi, figurat mbi ekran nuk ishin vizatime as hije, por njerëz të vërtetë, lëvizjet e tyre rridhnin natyrshëm, gjestet flisnin, shpirtrat dukej sikur kalonin përtej sipërfaqes së bardhë për të hyrë në sytë e spektatorëve. Ishte si të shihje kohën të merrte frymë.
Ky film i shkurtër, “Dalja e punëtorëve nga fabrika Lumière”, zgjaste më pak se një minutë, por mjaftoi për të lëkundur botën e artit dhe të teknikës. Dhe ishte vetëm i pari nga dhjetë filmat që do të rrotulloheshin atë mbrëmje, një foshnjë që ushqehet nga prindërit, një farkëtar që përplas çekanin mbi hekurin e kuqërremtë, një kopshtar që, për humor të publikut, laget nga një zorrë uji… Pamje të përditshmërisë, por të ngjallura në një magji të re.
Fjala u përhap si një zjarr në bar të thatë. Brenda pak ditësh, radha përpara Grand Café do të shtrihej me qindra metra; njerëzit prisnin me padurim të paguanin biletën për t’u ulur përballë mrekullisë që po lindte, kinemasë.
Në qendër të kësaj revolucioni gjendeshin vëllezërit Lumière, Auguste dhe Louis, dhe babai i tyre, Antoine. Antoine ishte një fotograf dhe tregtar i përkushtuar, por fama e tij do të shkëlqente falë shpikjeve të djemve. Louis, mendja e mprehtë teknike, dhe Auguste, syri i hollë i tregut, do të bashkonin forcat.
Që në moshën shtatëmbëdhjetëvjeçare, Louis krijoi një pllakë fotografike të re, të ndjeshme ndaj dritës, Etiquette Bleue, “Etiketa Blu”. Deri atëherë, fotografia kërkonte metoda të mundimshme, pllaka të lagështa që duheshin përgatitur në çast, të mbajtura në duar të përlyera me kimikate dhe të zhvilluara me nxitim, përpara se të thahej emulsioni. Ishte një punë e rëndë, e lodhshme, shpesh e pamëshirshme me kushtet e motit.
Pllakat e Louis-it ndryshuan gjithçka. Të thata, të gatshme për përdorim kurdo, më të ndjeshme ndaj dritës dhe më të shpejta për t’u ekspozuar, ato sillnin qartësi, siguri dhe mundësi prodhimi në masë. Ishin një revolucion më vete dhe brenda pak vitesh, familja ngriti një fabrikë me mbi treqind punonjës.
Por kjo shpikje ishte vetëm parathënia. Ajo krijoi themelet për një ëndërr më të madhe, kapjen e lëvizjes. Në vitin 1894, Antoine Lumière pa me sytë e tij shpikjen e re të Thomas Edison-it – Kinetoskopin, një kuti ku një shikues i vetëm mund të sodiste një film të shkurtër. Ai u kthye në shtëpi i mahnitur, por edhe me një ide të qartë:
“Duhet ta nxjerrim këtë shirit filmi nga kutia,” tha. “Duhet ta projektojmë mbi një ekran të madh, përpara një publiku. Djemtë e mi do ta gjejnë rrugën.”
Ishte një mendim i thjeshtë, por që hapi një horizont të ri. Edison kishte krijuar një përvojë intime, të vetmuar; Lumière-ët ëndërruan një përvojë të përbashkët, një festë shikimesh dhe emocionesh. Një art që bashkon njerëzit. Dhe pikërisht kjo ëndërr e tyre do të bëhej realitet atë mbrëmje dhjetori, në zemër të Parisit.
Përgatiti: Albert Vataj