Albert Vataj
Në këtë tablo të fuqishme dhe tronditëse, Luc-Olivier Merson ka përjetësuar një nga skenat më prekëse të letërsisë franceze, duke e kthyer në një ikonë të mëshirës njerëzore dhe tragjedisë së pashmangshme. Një skelë publike, një turmë që gumëzhin e ulërin, një njeri i përulur nga dhimbja dhe poshtërimi, dhe një grua që për një çast harron rrezikun dhe konventën, për t’u përkulur mbi plagët e tij, kjo është pamja që hapet para syve tanë.
Në qendër të skenës, Esmeralda, e paraqitur me një hijeshi të hollë, me petkun e saj të kaltër të tejdukshëm, zbukuruar me rripa ari dhe xhevahire që shndrijnë në dritën gri të qiellit të Parisit mesjetar, përkulet butësisht drejt Kuazimodos, i cili është lidhur në një pilor, me trupin e rrëgjuar nga kamxhiku dhe me sytë e përmalluar që nuk kanë parë kurrë dhembshuri. Duart e saj, të njomur nga një enë me ujë, prek buzët e tij të çara nga etja dhe turpi.
Rreth tyre, Merson ka pikturuar një turmë të trazuar, fytyrat e së cilës janë të ngrira në një gjest kolektiv mizorie, inati ose habie. Goja e hapur e një të riu, fytyra e rrudhur e një gruaje, krahët e ngritur të të tjerëve, duart e shtrira që nuk e arrijnë dot atë që po ndodh, krijojnë një mur të gjallë shikimesh dhe britmash. Kjo nuk është thjesht një turmë, por vetë gjyqi publik, instinkti i përçmimit, ajo forcë që në çdo epokë ngrihet mbi individin që guxon të dalë jashtë normës.
Nga ana artistike, Merson arrin një mjeshtëri të rrallë, kontrasti mes brishtësisë së Esmeraldës dhe ashpërsisë së turmës, mes petkut të kaltër që fryn si një valë e butë dhe kostumit të thjeshtë, të pistë të Kuazimodos, mes dritës së përhimtë të qiellit dhe tensionit të ngarkuar poshtë, krijon një ndjenjë drithëruese. Penelatat e tij kapin lëvizjen e turmës dhe qetësinë e gruas, si dy ritme të ndryshme që takohen në një pikë mëshire.
Në romanin e Victor Hugo-s, kjo skenë është pika ku Kuazimodo, njeriu i shpërfytyruar i kambanës, përjeton për herë të parë shijen e mirësisë njerëzore. Ajo që për të tjerët është thjesht një gjest i vogël, një gotë ujë, për të bëhet një shpëtim shpirtëror. Në ato çaste, ai, i cili është mësuar vetëm me sharje dhe gurë, njeh ndjesinë e të qenit i parë si njeri. Ky çast lind një dashuri të madhe e të pastër, por njëkohësisht të pashpresë, që do të jetë themeli i dramës së tij të mëvonshme.
Kjo vepër e Merson-it nuk është thjesht një ilustrim i Hugo-s. Ajo është një pasqyrë e përjetshme e kontradiktës njerëzore,nga njëra anë mizoria dhe gjykimi kolektiv, nga ana tjetër mëshira individuale që sfidon botën. Në atë dorë të zgjatur që ulet drejt buzëve të Kuazimodos, ne shohim të gjithë fuqinë që ka një gjest i vogël për të ndryshuar zemrat dhe historitë.
Esmeralda, e cila guxon të tregojë dhembshuri për një të përbuzur, na kujton se bukuria e shpirtit tejkalon bukurinë fizike, dhe se një pikë ujë, kur jepet nga një zemër e pastër, mund të kthehet në një det dashurie dhe tragjedie të pavdekshme.