Marrëdhënia mes Frida Kahlo-s dhe Diego Rivera-s është një nga historitë më të turbullta dhe më të zjarrta të dashurisë në historinë e artit. Ajo ishte e re, e brishtë dhe e përvëluar nga dëshira për të dashur me të gjithë shpirtin. Ai ishte një burrë më i madh në moshë, i njohur për talentin, por edhe për lakminë dhe tradhtinë emocionale. Dashuria e tyre ishte një përplasje elementesh të egra, një grua e thyer në trup, por e pathyeshme në shpirt, dhe një burrë i fuqishëm në art, por shpesh i dobët në ndjenjë.
Ata u martuan dy herë. Ajo e donte me gjithë qenien, me dhembje dhe admirim, me falje të pafundme dhe me një përkushtim që hera-herës kufizohej me vetëflijim. Por ajo dashuri e zjarrtë e Fridës nuk ishte gjithmonë e kthyer me të njëjtën monedhë. Në thellësinë e saj, Frida mbeti një grua e ndjeshme, që kërkonte sinqeritet, ndarje të shpirtit, bashkëjetesë të dhimbjes dhe bukurisë. Dhe kur kuptoi se zemra e Diegos nuk ishte më strehë për të, por një vend i ftohtë, ajo e lëshoi atë dashuri, e hodhi tej në galaksinë e zemërthyerjes diellin e atij pasioni, i cili vetëm se po e digjte.
Letra që vijon nuk është vetëm një dorëzim, por një akt i thellë vetëdijësimi dhe lirie shpirtërore. Ajo i flet një dashurie që s’e ndihmon më të jetojë, por i shuante ngadalë dritën. Është një testament i një gruaje që kishte mësuar se edhe dashuria më e madhe nuk duhet të jetë burg.
Letra:
Hoqa dorë kur ti nuk ishe pranë meje në ditën time të keqe.
Hoqa dorë kur kuptova se nuk ndaje me mua shqetësimet e tua,
se nuk më tregoje hapur mendimet e tua,
edhe kur ato mund të më lëndonin apo të më shqetësonin.
Hoqa dorë kur e kuptova se më gënjeje.
Hoqa dorë kur e ndjeva se nuk shikoje me zemër kur më shihje në sy,
se ende kishe gjëra që nuk m’i thoshe.
Hoqa dorë kur kuptova se nuk doje të zgjoheshe çdo mëngjes pranë meje,
se e ardhmja jonë nuk po shkonte askund.
Hoqa dorë sepse nuk i çmoja mendimet dhe vlerat e mia.
Hoqa dorë kur nuk më dhe dashurinë e ngrohtë që do të më zbutte dhimbjen.
Hoqa dorë sepse më shpërfillje, duke menduar vetëm për lumturinë dhe të ardhmen tënde.
Hoqa dorë sepse nuk mundesha më ta vizatoja veten të lumtur në pikturat e mia, dhe arsyeja e vetme ishe ti.
Hoqa dorë sepse ishe egoist.
Asnjë nga këto nuk do të kishte mjaftuar që të hiqja dorë nga ti,
sepse dashuria ime ishte e pakufishme.
Por kur mendova për të gjitha bashkë, kuptova se ti tashmë kishe hequr dorë nga unë.
Pikërisht për këtë, hoqa dorë edhe unë nga ti.
Përgatiti: Albert Vataj