Nga Albert Vataj
Kanë kaluar më shumë se një dekadë që nga botimi i parë i “Seksi që në agimet e tij” (Sex at Dawn, 2010), dhe libri i Christopher Ryan dhe Cacilda Jethá jo vetëm që u përkthye në dhjetëra gjuhë dhe u shpall Best Seller ndërkombëtar, por u bë një pikë e nxehtë referimi në çdo debat serioz mbi seksualitetin, marrëdhëniet dhe natyrën njerëzore.
Por ajo që e bën këtë vepër të jashtëzakonshme nuk është vetëm suksesi i saj komercial apo ngacmimi intelektual që provokoi në radhët e antropologëve, seksologëve dhe mendimtarëve bashkëkohorë.
Në një kohë kur bota ka bërë hapa të mëdhenj në drejtim të lirive personale dhe emancipimit seksual, por ende e gjen veten të ngujuar në mite dhe struktura që s’e përfaqësojnë më njeriun e vërtetë, ky libër vjen si një ftesë për të kthyer kokën prapa, jo për të idealizuar të shkuarën, por për të kuptuar se ku na ka rrëshqitur e tashmja.
“Seksi që në agimet e tij” nuk është një rebelim kundër dashurisë, por një kërkesë për ta çliruar dashurinë nga prangat e frikës, të turpit dhe të pronësisë. Nuk është një apologji për tradhtinë, por një thirrje për sinqeritet dhe ndershmëri emocionale. Nuk është as një manual për çifte moderne, por një udhërrëfyes për të kuptuar se si kemi arritur të shohim veten si përjashtim të natyrës, kur në të vërtetë jemi dëshmi e saj më e gjallë.
Në një botë ku martesat konvencionale rrënohen mes heshtjes dhe shterpësisë emocionale, ky libër ka ende forcën për të provokuar një reflektim të thellë, të sinqertë dhe të dhimbshëm, por çlirimtar:
Çfarë në të vërtetë jemi ne?
Dhe a jemi të gatshëm të jetojmë sipas natyrës sonë, apo do të vazhdojmë të aktrojmë moralin që na është imponuar?
Ky është një libër që nuk vjetrohet, sepse e vërteta për të cilën flet, ka qenë gjithnjë atje, në thelb të qenies sonë, por gjithnjë e heshtur.
Lexoje sot. Sepse nuk është vonë për të jetuar më afër vetes.
Janë të rrallë librat që e detyrojnë lexuesin të ndalojë, të shikojë pas, jo për të kujtuar, por për të kuptuar se çfarë është fshehur qëllimisht nën tapetin e moralit, shkencës së përkulur dhe religjionit të frikësuar nga natyra njerëzore. “Seksi që në agimet e tij” (Sex at Dawn, 2010) nga Christopher Ryan dhe Cacilda Jethá, është një nga ato libra që nuk thjesht lexohen, por ndjehen si një zhveshje e dhimbshme e mashtrimeve të vjetra. Dhe kjo e bën një libër që duhet lexuar.
Ky çift, një antropolog dhe një psikiatre, por mbi të gjitha dy zëra të lirë, rrëzojnë me argument dhe me pasion mitin e monogamisë si “natyrë” e njeriut. Ata nuk predikojnë; ata zbulojnë. Nuk trumbetojnë doktrina; ata analizojnë me ndershmëri shkencore dhe ndjeshmëri njerëzore. Në thelb të argumentit të tyre është pohimi i guximshëm:
Ne nuk jemi rezultat i një evolucioni moral që na ka ndarë nga paraardhësit tanë “primatër”, ne jemi ende primatë, majmunë antropomorfë të hiperseksualizuar, që përpiqemi të jetojmë në kafazin e ideve që nuk janë tona.
Libri eksploron dhe çmonton propagandën shekullore, fetare, mjekësore, sociale, që na ka shitur me këmbëngulje një model bashkëjetese ku dëshira është krim, erotizmi mëkat, kurse mosbesimi në formulat e dashurisë së përjetshme, një dështim moral.
Nëse martesa tradicionale do të ishte aq natyrale, pse atëherë kaq shumë njerëz ndihen të vetmuar brenda saj? Pse miliona çifte të qëndrojnë bashkë vetëm duke sakrifikuar erotizmin, duke heshtur dëshirat, dhe duke varrosur gjallë një pjesë të vetes?
“Sex at Dawn” nuk është një manual për poliamorin, por një manifest i lirisë për të pyetur:
A është monogamia një zgjedhje natyrore apo një marrëveshje historike që na është shitur si dogmë?
A ka forma të tjera të partneritetit që nuk përjashtojnë, por përfshijnë, që nuk kufizojnë, por lehtësojnë frymëmarrjen e dëshirës njerëzore?
Dhe më tej: A mund të ketë një paqe të re midis erotizmit dhe dashurisë, pa patur nevojë për viktima?
Çiftet që përqafojnë forma të hapura të marrëdhënieve, thonë autorët, raportojnë kënaqësi më të madhe dhe më pak konflikt se ata që jetojnë brenda kornizave të konvencionalitetit. Jo sepse janë më të mirë, por sepse kanë zgjedhur të jetojnë sipas natyrës së tyre, jo sipas moralit të imponuar. Ata e njohin të vërtetën e thjeshtë: dëshira nuk është e dënueshme. Ajo është e pandalshme. Dhe ajo mund të bashkëjetojë me dashurinë, kur ajo e fundit është e vërtetë, jo pronësore.
Libri ngre një tjetër pikë të jashtëzakonshme: Ne nuk vijmë “nga” majmunët antropomorfë. Ne jemi një prej tyre.
Në këtë afirmim nuk ka poshtërim, por çlirim. Dallimet tona me bonobot dhe shimpanzetë janë artificiale, thonë primatologët bashkëkohorë. Dhe ashtu si ata, edhe ne trashëgojmë një histori të gjatë të seksualitetit të lirë, të butë, të ndërlidhur me ndjeshmëri sociale dhe afeksion, jo me pronësi, xhelozi dhe shtypje.
Por çfarë ndodhi?
Rreth 10 mijë vjet më parë, me fillimin e bujqësisë dhe rendit patriarkal, ndodhi një tërmet kulturor. Historia e vërtetë e seksualitetit u shpall heretike. U fshi nga librat. U dënua nga altarët. U përbuz nga mjekët. U moralizua nga terapeutët. Kultura e ndalimit fitoi mbi natyrën e lejimit. Dhe çmimi? Gjysma e martesave shemben në heshtje. Miliona të tjera vazhdojnë si hije.
Ky libër nuk ofron receta. Por ai ofron një pasqyrë që s’të le të ikësh prej saj pa pyetur veten: A është koha të ndalojmë së jetuari me turp për atë që jemi? A është koha të çlirojmë dashurinë nga pronësia, dhe erotizmin nga ndëshkimi?
“Seksi që në agimet e tij” është një ftesë për të ringjallur një të vërtetë të mohuar, për të rigjetur natyrën tonë, jo në imazhin e shenjtëruar të shoqërisë, por në biologjinë, historinë dhe ndjeshmërinë e njeriut që jemi.