Nga Albert Vataj
Në miniaturën “Të Dashuruarit”, Reza Abbasi, mjeshtri i madh i artit persian të epokës Safavide, jep jo vetëm një skenë intime, por një manifest të heshtur për ndjenjën, një himn për bukurinë njerëzore të çliruar nga dogma dhe formalizmi. Vepra përçon një nevojë për të komunikuar përmes një gjuhe që kapërthen fjalën, përmes vijës që gjarpëron si kaligrafi e gjallë, përmes ngjyrës që flet më shumë se zëri, dhe përmes simboleve që lëkunden në pragun e shpirtërores.
Krijuar drejt fundit të një karriere të gjatë e të ndritshme në oborrin e dinastisë Safavide, kjo pikturë është një shembull i pjekurisë së stilit të Abbasit dhe i guximit të tij estetik. Burri dhe gruaja janë të ndërthurur në një përqafim poetik. Trupat e tyre të shkrirë në një kompozim, sfidojnë kufijtë e konvencioneve të kohës. Lëvizja delikate e vijës përshkon trupat si një frymë e padukshme. Tiparet e tyre, sytë e zgjatur, buzët e buta, faqet e përskuqura, pasqyrojnë njëra-tjetrën si në një pasqyrë të ndjenjës së përbashkët.
Kjo nuk është vetëm një miniaturë dashurie; është një rebelim i qetë kundër ndarjeve të rrepta gjinore të epokës. Në një kohë kur figurat e burrave dhe grave rrallëherë portretizoheshin së bashku në mënyrë kaq të natyrshme e të afërt, Abbasi zgjodhi t’i çlironte ata nëpërmjet artit. Ai ndërtoi një hapësirë estetike ku emocioni dhe eleganca nuk janë kundërshti, por pjesë e së njëjtës frymë që i jep jetë dashurisë dhe bekon botën me frutin qiellor të ndjenjave.
Sfondi i artë, trëndafili i vendosur me kujdes, pjata e frutave, të gjitha këto nuk janë thjesht zbukurime, por simbole të dashurisë, jetës dhe bollëkut shpirtëror. Paleta e ngjyrave të zgjedhura me kujdes, të pasura dhe të buta njëkohësisht, krijon një atmosferë që mbështjell figurat me një dritë thuajse mistike.
Riza‑yi ‘Abbasi, i lindur në Kashan në vitin 1565, ishte më shumë se një piktor, ai ishte një përshkues i thellë i natyrës njerëzore. Ai reformoi miniaturën persiane duke e çuar atë nga ilustrimi i dorëshkrimeve drejt portretit individual dhe kompozimeve intime, ku ndjenja merrte formë dhe ngjyra. Me ndihmën e bojës, fletës së artë dhe temperës, ai e ktheu çdo skicë në një rrëfim poetik.
Stili i tij ishte një shkrirje e përkryer e ndikimeve persiane, turke dhe kineze, por gjithmonë me një identitet të veçantë, ai i Riza Abbasit. Një linjë e hollë, një ngjyrë e butë, një shikim i heshtur, gjithçka mbartte thellësi narrative, gjendje shpirtërore dhe ngarkesë simbolike.
Pas vdekjes së tij në vitin 1635, Shkolla e Isfahanit, të cilën ai e ndihmoi të lulëzonte, filloi të zhbëhej. Por drita që ai ndezi nuk u shua kurrë. Vepra e tij vazhdon të jetojë në muze dhe koleksione në Teheran, Stamboll, Paris, Londër dhe Uashington. Ato janë dëshmi të një arti që nuk pikturon vetëm pamjen, por edhe përjetimin; një art që i pëshpërit heshtjes një emër, dashuri.