Nga Albert Vataj
Atlasi Farnese është një skulpturë monumentale prej mermeri, e lartë 1.85 metra, që përfaqëson titanin Atlas, i cili, sipas mitologjisë greke, u dënua nga Zeusi të mbante përjetësisht qiellin mbi supe. Kjo vepër është e vendosur në Muzeun Arkeologjik Kombëtar të Napolit dhe daton nga shekulli II pas Krishtit, një kopje romake e një origjinali grek helenistik (ndoshta nga shekulli III para Krishtit).

Statuja bën pjesë në Koleksionin Farnese, një nga koleksionet më të shquara të artit klasik, që u zbulua gjatë gërmimeve të vitit 1546 në Termat e Caracallas, një kompleks termal gjigant në Romë. Koleksioni u trashëgua më vonë nga Karl III i Burbonit, që e transferoi atë në Napoli më 1787 për të themeluar koleksionin e Muzeut Kombëtar.
Atlasi është paraqitur në një qëndrim të rënduar, me një trup të muskujve të tendosur, një gjunjë të përkulur dhe një shprehje të thellë përqendrimi, simbol i përjetshëm i vuajtjes heroike dhe qëndresës ndaj fatit.

Por ajo që e bën këtë statujë vërtet unike në historinë e artit dhe të shkencës është globi sferik që ai mban mbi supe: një përfaqësim fizik i sferës qiellore, mbi të cilin janë gdhendur 43 yjësi të botës së lashtë, duke përfshirë: Zodiakun (p.sh. Akrepi, Luani, Peshorja), Konstelacione mitologjike (Orioni, Andromeda, Perseu), Figura të dryshme hyjnore dhe mitike, si Herkuli, Kasiopeja etj.
Ky glob nuk është thjesht një simbol mitologjik, por një hartë astronomike në tre dimensione, para-galileane, që paraqet vizionin e universit sipas astronomisë greko-helenistike, më saktësisht sipas modeleve të Eudoksit të Knidos dhe më pas Ptolemeut. Ai është përfaqësimi më i vjetër i njohur i sferës qiellore që ka mbijetuar në formë fizike.

Veprat e Klaudi Ptolemeut, veçanërisht “Almagesti”, përshkruajnë botën si një sistem gjeocentrik, dhe ky glob e pasqyron këtë qasje, me Tokën në qendër dhe yjësitë që rrotullohen rreth saj.
Atlasi në këtë skulpturë nuk mban Tokën, siç shpesh mendohet gabimisht, por mban qiellin në trajtë sferike. Ai është shndërruar në një metaforë të fuqishme të: Barrës së dijes që njeriu mban mbi supe, sfidës së pafund të kërkimit të së vërtetës përtej asaj që shohim, heroizmit të vetëmohimit, ku urtësia mitike nuk lind nga triumfi, por nga durimi.
Ky imazh u bë simbol i Rilindjes Humaniste, ku dija klasike greko-romake u rikthye si burim drite dhe strukture mendimi. Gjatë Rilindjes, Atlasi dhe globi i tij përfaqësonin njeriun që mbart mbi supe fatin dhe njohurinë e universit.
Atlasi Farnese është ndoshta pika më sublime ku arti, mitologjia, shkenca dhe filozofia takohen në një tërësi vizuale. Ai është një enciklopedi e gdhendur: një skulpturë që përmbledh në formë plastike jo vetëm mitin e përjetësisë, por edhe astronominë parashkencore, duke lidhur vështrimin e njeriut mbi yjet me përpjekjen për ta kuptuar vendin e vet në kozmos.
Atlasi Farnese është përdorur si model për hartografët dhe astronomët deri në shekullin XVI.
Mjaft atlasë të hershëm të botës (si ai i Mercatorit në 1595) morën emrin “Atlas” pikërisht nga kjo figurë.
Edhe emri “atlas” që i japim sot hartave dhe koleksioneve të tyre vjen nga kjo ikonografi.