Siç nënvizohet që në titull, “Gjashtë poetët toskanë”, kjo pikturë e vitit 1544 nga Giorgio Vasari përshfaq një skenë imagjinare ku gjashtë figura të ndritura të mendimit dhe poezisë së shekujve XIII-XIV ndodhen të përfshirë në një bisedë të qetë e të përqendruar, të zhvilluar natyrshëm në gjuhën toskane – gjuhën e artit, mendimit dhe letërsisë që do të bëhej themeli i italishtes moderne.
Në këtë kompozim monumental, Vasari vendos në qendër Dante Alighierin, poetin e madh të Komedisë Hyjnore, i ulur pranë një tryeze të stolisur me objekte që përfaqësojnë dijet e kohës: një kuadrant diellor dhe një glob qiellor për astronominë, një busull për gjeometrinë, një glob tokësor për gjeografinë dhe libra që simbolizojnë retorikën. Këto objekte nuk janë vetëm mjete didaktike, por përfaqësime të fushave të dijes që këta burra mishëronin.
Përballë Dantes qëndron Guido Cavalcanti, shoku dhe bashkudhëtari i tij letrar në rrymat e para të stilit të ri, i njohur për sonetet e tij të pasionuara dhe introspektive. Në të djathtë ndodhet Francesco Petrarca, humanist dhe poet i kultivuar, që mban në dorë një kopje të “Rime të shpërndara”, përmbledhja që i dha formë të re ndjenjës dhe mendimit në poezinë evropiane. Giovanni Boccaccio, autori i “Dekameronit”, përfaqëson lidhjen e prozës me jetën dhe njerëzoren.
Në krahun e majtë të kompozimit përfshihen Marsilio Ficino, filozof neoplatonik dhe përkthyes i Platonit, si dhe Cristoforo Landino, humanist dhe komentator i veprës së Dantes. Këta dy të fundit mishërojnë ndërthurjen e poezisë me filozofinë dhe mendimin etik e estetik të Rilindjes.
Katër nga poetët janë të kurorëzuar me kurora dafine, simboli klasik i lavdisë letrare dhe suksesit poetik. Vasari, me delikatesë dhe mjeshtëri, krijon një imazh që është njëkohësisht homazh dhe manifest: një lartësim i shpirtit toskan, një testament për trashëgiminë e gjuhës dhe mendimit të tyre.
Kjo vepër u realizua me porosi të Luca Martinit në vitin 1543, një figurë e rëndësishme e jetës intelektuale të Firences, dhe u mendua si një akt afirmimi i supremacisë kulturore të Toskanës. Nëpërmjet kësaj pikture, Vasari synonte të afirmonte primatin e italishtes si gjuhë e letërsisë dhe dijes, përballë latinishtes, që ende ruante statusin zyrtar dhe akademik në Evropë.
Në dorën e Dantes ndodhet një kopje e Virgjilit, poetit të madh latin që ai nderonte si udhërrëfyes në Komedinë Hyjnore. Ky është një detaj me vlerë polemike: ai thekson jo mungesën e dijes latine, por shkallën e zotërimit të saj, duke kundërshtuar zërat kritikë që sugjeronin se këta autorë u kthyen nga latinishtja në toskanisht vetëm nga paaftësia për të shkruar në gjuhën klasike. Vasari, me këtë vepër, pohon të kundërtën: që italishtja, dhe posaçërisht toskanishtja, ishte një zgjedhje estetike dhe kulturore me fuqi të barabartë e ndoshta edhe më e madhe shprehëse.
Kështu, “Gjashtë poetët toskanë” mbetet një referencë historike dhe estetike, jo vetëm për artin e Rilindjes, por për zhvillimin e vetë identitetit letrar kombëtar italian. Siç do të shkruante vetë Vasari në “Jetët e piktorëve, skulptorëve dhe arkitektëve më të shkëlqyer”:
“Gjeniu toskan është ngritur herë pas here mbi të gjithë të tjerët.”
Përgatiti: Albert Vataj