Në muzeumin e kujtesës së artit shqiptar dhe atij europian, rrijnë ballë për ballë dy portrete, të heshtura, por rrëfimtarë të fuqishëm, “Motra Tone” e Kolë Idromenos dhe “Shqiptarja” e Jean-Baptiste Camille Corot. Të ndara nga kufij kohësh dhe përfytytimesh, këto dy figura femërore, të skalitura me penelë të ndryshëm, ndajnë një rrënjë të përbashkët, gruan shqiptare, të përjetësuar në një çast meditimi dhe qëndrese, meditimi dhe shprehie të botës së brendshme, që guxojnë të shfaqen lexueshëm në nevojën për të dëshmuar dhe komunikuar. Njëra e lindur prej dheut që e mban mbi supe, tjetra e zbuluar përmes syve të një udhëtari të mahnitur nga e panjohura. Të dy qajes krijuese rreken të shohin thellë, për të rrëmuar aty zgjimin, që vjen në çdokohje për ëndje dhe hir.
Kolë Idromeno, në këtë vepër antologjike të artit shqiptar, nuk pikturon thjesht një vajzë; ai vendos mbi telajo vetë Shqipërinë, të trupëzuar në një femër të heshtur e të hijshme, me vështrim që të ngul si gozhdë. Ajo është më shumë se një portret; është një shpirt që qëndron përballë historisë, me hijeshi të heshtur dhe dritë që buron nga brenda. Çehreja e saj nuk është veç pamje, por është gjuhë; një gjuhë e ndjenjës, e mendimit, e përmbajtjes që flet pa fjalë për ndjenjën e përkatësisë, për madhështinë e thjeshtësisë dhe për sublimen që ndriçon përmes përmbajtjes.
Në anën tjetër, “Shqiptarja” e Corot është një krijesë e përfytyrimit, një ndjesi e zbutur në telajo. Ajo i përket më shumë një peizazhi shpirtëror sesa një realiteti etnografik. Në sytë e saj nuk ka sfidë, por melankoli; nuk ka përballje, por përhumbje. E veshur me motive shqiptare, por e përshkuar nga drita e mjegullt e romantizmit, kjo grua është më shumë simbol i ekzotikës, sesa mbartëse e një peshe historike. Corot, mjeshtër i dritës dhe heshtjes, e sheh shqiptaren si një reflektim të bukurisë së një bote të largët dhe të pakapshme, një botë që ai e sodit, por nuk mund ta prekë.
Ajo që i ndan këto dy portrete nuk është vetëm teknika apo stili, është qëllimi. Idromeno krijon një monument kombëtar në formën e një portreti intim; Corot ndërton një poemë të butë përmes një imazhi që përfton më shumë ëndërrim sesa identitet. Njëra është kryelartë në përfaqësim, tjetra e përhumbur në simbolikë. Por që të dyja, me të njëjtin nderim, i bëjnë homazh asaj që mbetet themel i çdo kombi dhe frymë e çdo shoqërie: gruas.
Në “Motrën Tone”, drita vjen nga brenda, nga forca e qetë e një personaliteti që di kush është dhe ku qëndron. Ajo është një ndriçim që të detyron të ndalesh, të respektosh, të reflektosh. Në “Shqiptaren” e Corot, drita vjen nga jashtë,nga dëshira për ta kapur një bukuri që i shpëton arsyes dhe përqafohet me ndjenjën. E para është kujtesë, e dyta është imagjinatë. E para është shpallje, e dyta është ndjesë. E para është identitet, e dyta është mit.
Dy piktura, dy botë, dy mënyra për ta parë të njëjtën fytyrë. Ajo që njëri e pikturoi si pasuri të shpirtit kombëtar, tjetri e përjetësoi si mister të dashurisë për të panjohurën. Por bashkë, ato rrëfejnë një të vërtetë të thellë dhe universale: bukuria e gruas shqiptare nuk është veç një çështje estetikë – është një formë e thellë e qëndresës, e përkatësisë dhe e poetikës së jetës që vjen nga brenda, për t’u kthyer në dritë.