Në një Rusi që vlonte nga trazirat shoqërore, uria, shtypja dhe iluzionet revolucionare, një zë u ngrit me forcën e rrëfimtarit të popullit dhe me tronditjen e një shpirti të rrahur nga padrejtësia. Ishte Maksim Gorki. I lindur më 28 mars 1868 në qytetin Nizhni Novgorod, si Aleksej Maksimoviç Peshkov. Ai nuk hyri në letërsi nga porta e akademive apo salloneve aristokratike, por nga rrugët me pluhur, kantieret e mundimshme dhe kafazet e jetës së ashpër së bashkëkohësve të tij më të varfër.
Djali i një zdrukthtari dhe vetë një fëmijë i rrëmbyer herët nga jeta e qetë familjare, Gorki e nisi udhën e jetës në rrethana që do t’i kishin thyer shumëkënd. Jetim që në moshë të vogël, me arsimim minimal dhe i shtyrë nga nevoja për të mbijetuar, ai kreu një sërë punësh të rëndomta: nga korrier e larës enësh deri te punëtor në limanë, bukëpjekës apo kopshtar. Por pikërisht kjo përballje e drejtpërdrejtë me realitetin më të ashpër të klasave të ulëta shoqërore do të bëhej brumi i pashtershëm i frymëzimit të tij letrar dhe angazhimit politik.
Pseudonimi “Gorki”, që në rusisht do të thotë i hidhur, nuk ishte thjesht një emër letrar, por një shpallje e qartë e misionit të tij: të tregonte të vërtetën e pakëndshme, jetën siç ishte – pa zbukurime, pa romantizëm, por me patos, me dhembje, me revoltë. I frymëzuar nga plagët e klasës punëtore dhe i bashkëlidhur me idealet revolucionare, Gorki do të bëhej një nga figurat më të shquara të realizmit socialist, një rrëfimtar i historive të njerëzve të zakonshëm që bartnin në supe barrën e një bote të padrejtë.
Ai do të qëndronte pranë figurave kyçe të revolucionit rus si Lenini dhe Stalini, herë si mik, herë si kritik, por gjithnjë si një ndërgjegje e paqetë. Për shkak të bindjeve të tij, një pjesë të mirë të jetës do ta kalonte në mërgim, ndërsa kthimi i tij në Rusi, në vitet e sundimit të Stalinit, do të mbyllej në mënyrë të mistershme me vdekjen e tij më 18 qershor 1936 – një vdekje që ende rëndon me dyshime mbi strukturat e errëta të pushtetit sovjetik.
I nominuar pesë herë për çmimin Nobel në Letërsi, Gorki ka lënë pas një trashëgimi letrare që vazhdon të frymëzojë: nga “Nëna” dhe “Jeta e Klim Samginit”, tek “Zgalemi” e “Makar Çudra”, veprat e tij janë rrëfime të thella për rezistencën, dinjitetin dhe shpresën e njeriut të zakonshëm përballë mizorisë së jetës.
Maksim Gorki nuk ishte thjesht një shkrimtar i madh rus – ai ishte një epokë më vete, një ndërgjegje e mishëruar në fjalë, një akt rebelimi me anë të letërsisë kundër heshtjes dhe në emër të së vërtetës. Ai mbetet, në kujtesën letrare dhe historike të njerëzimit, si një figurë komplekse, kontradiktore, por thellësisht e domethënshme. Një gojë e hidhur që foli për plagët e një bote të padrejtë – dhe që ende dëgjohet.
*****
Prindërit e varfër e lanë Maksim Gorkin jetim. I vetmi i afërm i mbeti gjyshi plak, i cili u përkujdes shumë për nipin e vogël. Djali ishte kokëfortë e me shpirt kryengritës dhe iu fut shumë zanateve. Ai u bë kamariei, këpucar, gdhendës, pastaj piktor, pjatalarës, kopshtar, por të gjitha i la dhe mori rrugët. U fut si shërbëtor në një anije, nisi të shëtiste nëpër botw dhe në orët e pushimit, pasi kishte gjetur disa libra të Dymait (babait) dhe të Gogolit, iu vu leximit. Ashtu papritur i erdhi dëshira e papërmbajtur për të mësuar.
Zbriti në Kazan dhe kërkoi të gjente ndonjë shkollë ku të jepej mësim pa para. Shkollë të tillë nuk gjeti. Përsëri nisi Odisenë e tij, duke u bërë hamall, roje në hekurudhë, shitës pijesh. Kështu njohu të gjithë të mjerë dhe të pastrehët që i quajti “Fëmijët e çifutit endacak”. Këta i admiroi shumë.
*****
Qysh në fëmijëri, Gorki kishte miqësi me Shaljapinin, i cili më vonë bë këngëtar i dëgjuar operistik në të gjithë botën. Një herë, Shaljapini dhe Gork për të fituar diçka, shkuan së bashku në një shoqëri teatrale. U paraqitë si koristë. Gorki, u pranua me vota të plota për zërin e tij të bukur prej tenori, kurse Shaljapini nuk u pranua si i paaftë për të kënduar.
Më vonë Gorkit, në një natë shumë të ftohtë dimri, i ra të fikët dhe mbeti gjatë përjashta. Mori një plevit të fortë me komplikime të shumtë në fyt. Kur u shërua, zëri i tij i bukur prej tenori ishte ashpërsuar dhe ngjirur për të mos u bërë më për skenë.
*****
Maksimi mori pseudonimin Gorki, që në rusisht do të thotë “i hidhur”. Kjo ishte një sfidë për shoqërinë e atëhershme, e cila u soll si njerkë me të.
Vetëm në vitin 1892, një student e këshilloi të merrej me shkrime dhe të hidhte në letër ato ndodhi që ai vetë ua tregonte me aq gjallëri të njohurve të tij. Shkrimtari Korolenko e ndihmoi dhe e bëri Gorkin që të njihej si shkrimtar.
*****
Mjeku e kishte ndaluar Maksim Gorkin të pinte cigare. Megjithatë, ai nuk e dëgjonte mjekun dhe pinte cigare pas cigare.
– Përse pi cigare? – i tha një ditë e zemëruar e shoqja, kur ai po kollitej vazhdimisht.
– Po ti përse jeton? – e pyeti ai i vërejtur.
*****
Më 1891, ishte në Nizhni Novgorod si shitës shëtitës. Ndërkohë, mori vesh se aty rrinte edhe shkrimtari i famshëm Korolenko. Shkoi që të merrte mendim prej tij për një poemë. Korolenko e lexoi poemën dhe thirri:
– Është e keqe, nuk ka asnjë pikë vlerw.
Kur e pa Gorkin që u trishtua, shpejtoi të shtonte:
– Po unë në fund të fundit jam gjykatës i keq për vargjet. Nga poezia nuk marr vesh dhe aq shumë. Më sill të shoh diçka nga proza juaj.
Kjo e nxiti Gorkin të shkruajë novelën e tij të parë. Kështu talenti i tij gjeti rrugën e vërtetë.
*****
Një ditë ishte duke lexuar biografinë e Çelinit të përkthyer në rusisht. Dikush tha se ishin krejt pallavra. Gorki protestoi duke thënë;
– E po mirë, në qoftë se janë pallavra mua më pëlqyen edhe ashtu siç janë. Janë pallavra të çuditshme. Vetëm ai dinte t’i thoshte dhe vetëm në kohën e tij të thuheshin.