Jeta e Myrtle Corbin nuk u shkrua me rregullat e zakonshme të jetës, por me forcën e një shpirti që nuk pranoi të reduktohej në një kuriozitet mjekësor apo spektakël njerëzor. E lindur më 12 maj 1868 në Lincoln County, Tennessee, ajo erdhi në botë me një gjendje jashtëzakonisht të rrallë të quajtur dipygus, një anomali kongjenitale që e bëri të kishte dy pelvisa të ndarë dhe katër këmbë, dy prej të cilave plotësisht të formuara.
Në një kohë kur shkenca mjekësore ishte ende në fazat e saj të hershme të kuptimit dhe trajtimit të malformimeve të lindura, dhe kur empatia ndaj atyre që ishin “ndryshe” shpesh zëvendësohej nga kurioziteti i ftohtë ose shfrytëzimi publik, Myrtle zgjodhi të mos fshihej. Ajo nuk i mohoi as trupin, as veçantinë, por i përqafoi si pjesë thelbësore të vetes. Në adoleshencë, u bë pjesë e shfaqjeve anësore (sideshow), të njohura si pjesë e “cirkut të çudirave”, ku njihej me nofkën “Vajza me Katër Këmbë nga Teksasi”. Ishte pjesë e një realiteti kontradiktor: një botë që e shihte si sensacion, por që ajo vetë e përdori si mjet mbijetese dhe vetërealizimi.
Në vend që të mbetej peng i një perceptimi publik të kufizuar dhe shpesh çnjerëzues, Myrtle Corbin ktheu sytë drejt një të ardhmeje që të tjerët nuk do të kishin guxuar t’ia parashikonin. Ajo u martua me mjekun James Clinton Bicknell dhe pati shtatë shtatzëni, nga të cilat lindën pesë fëmijë të shëndetshëm. Kjo jo vetëm habiti komunitetin mjekësor të kohës, por edhe theu çdo parashikim se një trup i tillë “i pazakontë” nuk mund të jetonte një jetë “normale”. Përkundrazi, ajo jetoi një jetë të mbushur me dashuri, amësi dhe qetësi që sfidonte mënyrën se si shoqëria i përkufizonte mundësitë.
Përtej aspektit biologjik të gjendjes së saj, historia e Myrtle është një histori simbolike për dinjitetin e njeriut. Ajo është dëshmi se të jesh ndryshe nuk do të thotë të jesh më pak; përkundrazi, mund të jesh më shumë, më shumë vetëdije, më shumë forcë shpirtërore, më shumë sfidë ndaj paragjykimeve. Në një epokë kur individët me anomali fizike përfundonin në margjinat e ekzistencës ose shfrytëzoheshin për argëtim publik, Myrtle Corbin arriti të ruante kontrollin e narrativës së saj, duke e shndërruar atë që për të tjerët ishte një burim shoku në një burim dinjiteti.
Ajo nuk ishte thjesht një trup me katër këmbë. Ishte një grua me dyfishin e forcës për të ecur përpara, edhe kur bota përreth nuk i ofronte udhë. Trashëgimia e saj nuk është një rekord mjekësor apo një faqe në ndonjë katalog të shfaqjeve të dikurshme, është një manifest i guximit për të jetuar të vërtetën e vet, pa turp dhe pa frikë.
Myrtle Corbin ndërroi jetë më 6 maj 1928, por kujtimi i saj mbetet një thirrje e heshtur dhe e fuqishme për të parë më thellë se lëkura, më gjerë se deformimi, më njerëzisht se kurioziteti. Në jetën e saj ka ndodhur ajo që pak e kuptojnë: përballë të pazakontës, ajo u bë e jashtëzakonshme jo për çfarë kishte, por për mënyrën se si e përballoi botën me të.
Përgatiti: Albert Vataj