Shihemi me mijëra sy, në qindra prej këtyre vezullimeve marrim zjarr. Dhjetëra janë ato që rrëmojnë brenda nesh zgjimin e magmave të përgjumura. Por ka të tillë sy, të tillë ngulme shpuese, që therin me tehun e zenitheve ku shkrepin… rrëmojnë përjetime ku shkelin, ndezin diej kur këto sy, në sytë tanë derdhen, shkrepin.
Jetën tonë e përshkon një rrugëtim i gjatë përnga ndritshmëri, të tilla, që kur ndeshesh në to, diçka brenda teje këputët. Ndoshta ai qiell që ti ke endur me kaq pasion e përkushtim në flakërimën e imagjinatës, papritmas thyhet, duke u shpërbërë në mijëra vezullime që prushin trajtat e gjitha feksjeve të dritës që janë parë me ty.
Dhe kemi humbur në udhën e pambarimtë të ëndrrave që në ne mbrujnë trajtat e një dëshirimi, shikimi që tejçon në të tjerë dimensione prehjen adhuruese. Prushja e një dalldieje na ka hedhur në prehrin e një përjetimi dehës.
Na ysht një mëkim që kërkon qiejt e një shikimi të shuaj etjen, dhe… gjejmë ngutaz udhën që të pret përtej një dritës që e ndez meditim, e mall na kall, shkrepëtin në andjen e një dëshire për t’u shndërruar në yll e andje.
Ke humbur në terrin e dritave që shkelim me këmbë, në udhëkryqe ke kërkuar tehun e një klithme që kurrë se preku kurmin e qiellit, duart që zgjaten si degë e lutjet që shndërrohen në altar, nuk ta kanë treguar shtegun, kahun ku qiell kërkojnë krahët e tu të fluturimit.
Kërko udhën që të pret, të të çojë, kah erërat shtegtojnë me gjethet, dhe gjej përtej këtyre syve që i deh pritja, atytek një zemër shkulmon e buçet në atë kraharor që gufojnë qiejt, në atë prehër adhurimi, ku pafundësia shumohet në polenin e luleve që i end pranvera.
Në sythin e asaj ëndrre që pikon nën qerpik, aty ku sheh pasqyrimin e mijëra diejve që ngjyejnë me dritë gjurmët prej vese që të tregojnë rrugën e amshimit…
Vetëm dehja e vetmisë mundet t’i japë shëlbim këtij çasti pror, limfa e legjendave dhe përfytyrimeve idilike rrugëtuar ndër shekuj, i jep qiell këtij pragu. Vetë drita e atyre syve mundet të shuaj frymë e të ndez zemra, të zjarrmojë në çdo shpërthim që të kafshon. Kjo prehjen e mëndafshtë ndijimi që na prek beftas, na shkundur prej hutimit duke na kredhur llavave, shpërthimeve.
Shkëndija yjësish përpush ky shpirt që rreshket prej lotit qi ia thajnë kujtimet. Kjo ëndje zjarrmuese që në buzë kafshon puthjen, puthjen që kërkon buzë të pihet e të dehet.
Vështro thellë brenda atij shikimi dhe përgjo jehonat që shkrepin në blunë e atij qielli, atyre syve, atij dëshirimi, asaj adhurueseje
që i jepesh, e përjetësive udhëprin si diell.
Shikom në sy ti copëz qielli dhe tregom se sa thellë rrëzohet brenda meje trajta e pafundsisë.
Albert Vataj