Në mes të zhegut të Egjiptit, pranë rrënojave të Tebës së lashtë, një dorë arkeologu nxori në dritë një krijesë të vogël prej balte, të gjunjëzuar, të lidhur dhe të shpuar me trembëdhjetë gozhdë. Nuk ishte as statujë për devocion, as një lodër e fëmijërisë së dikujt. Ishte një kukull e magjisë së zezë, një trup i heshtur që mbante mbi vete dhimbjen e një dëshire që kërkonte të bëhej zot i zemrës së tjetrit.
Kjo “kukull” u gjet brenda një vazoje qeramike, së bashku me një pllakë plumbi mbi të cilën ishte gdhendur një mallkim, jo i zakonshëm, por një lutje e errët për dashuri.
Pavarësisht vendgjetjes në Egjipt, objektet mbajnë shenjat e kulturës helenistike. Arkeologët e datojnë këtë artefakt në shek. III ose IV para Krishtit, në një kohë kur besimi, pushteti dhe dëshira njerëzore përziheshin në një kurorë ritualesh që sfidonin vullnetin e të tjerëve.
Ajo që trondit arkeologët dhe ekspertët hulumtues nuk është thjesht brutaliteti fizik mbi objektin, gozhdë në kokë, në gojë, në sytë dhe veshët, në kraharor, në pëllëmbët e duarve e në shputat e këmbëve.
Çfarë e bën këtë gjetje rrënqethëse është ajo që fshihet pas saj. Një burrë që, në vend të një letre dashurie, gdhendi një mallkim për të thyer vullnetin e një gruaje dhe për ta kthyer në robinën e dëshirës së tij.
Mbishkrimi grek që e shoqëron kukullën lexon:
“O e Madhe Ptolemais, bëj që Ajasi, vajza e Origjenit, të më dojë mua. Mos e lër të hajë apo të pijë derisa të vijë tek unë, dhe mos e lër të takojë asnjë burrë tjetër përveç meje. Bëj me të ç’të duash derisa të pranojë të jetë vetëm me mua. Për sa kohë të jem gjallë, ajo do të më dëgjojë, do të më dojë dhe gjithnjë do të më thotë të vërtetën.”
Çfarë përmban ky mallkim?
Një urdhër i padukshëm ndaj hyjnores, një akt dhune rituale ndaj lirisë së tjetrit, por edhe një pasqyrë e shpirtit njerëzor që vuan nga ndjenja të papërmbushura. Një dëshirë që i jepet dhunës për të gjetur rrugë drejt dashurisë.
Ky objekt ndodhet sot në Muzeun e Luvrit, i radhitur mes mijëra artefakteve që dëshmojnë për jetën dhe besimet e qytetërimeve të vjetra. Por kjo kukull e heshtur, prej balte dhe gozhdësh, flet me zë të fortë për një temë që mbetet e pashuar edhe në kohën që vijuan.
Deri ku jemi të gatshëm të shkojmë për të qenë të dashuruar? A ka kufij ndërmjet dëshirës dhe dhunës, kur zemra bëhet skllave e refuzimit?
Në këtë fragment të vogël të historisë, kemi më shumë se një praktikë të lashtë magjie. Kemi një poemë të errët të shpirtit njerëzor, një kërkesë për dashuri që i është dhënë trajta e një persekutimi, një dorë që në vend të prekjes ka shtrënguar, jo dorën e një gruaje, por fatin e saj.
Në fund, pyetja që ngrihet nuk është vetëm pse u përdor kjo magji, por çfarë thotë kjo për njeriun, për nevojën e tij për dashuri, për dëshirën për të kontrolluar, për frikën nga humbja.
Sepse edhe sot, me gjithë përparimet tona impresionuese, vullneti për të lidhur tjetrin në emër të dashurisë nuk ka vdekur, thjesht ka ndërruar formë.
Përgatiti: Albert Vataj