Nga Albert Vataj
Nën hijen gjithnjë më të dendur të Luftës së Dytë Botërore, kur Europa po përtypej nga makineria e hekurt naziste dhe heshtja e frikës mbulonte qytetet si një vel vdekjeje, një zë i butë, i huaj nga dhuna, u ngjit mbi murin e historisë me një qëndresë të qetë por të pathyeshme. Noor Inayat Khan, bija e një sufiu indian dhe e një amerikane me rrënjë edwardiane, u bë një simbol i rrallë i asaj që është guximi: jo ai që bërtet, por ai që përshpërit “liri” edhe në çastin e fundit.
E lindur më 1914 në Moskë, në prag të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, familja e Noor-it u detyrua të largohej prej andej gjatë Revolucionit Rus. Ata gjetën strehë fillimisht në Londër e më pas në Suresnes, në periferi të Parisit. I ati i saj, Hazrat Inayat Khan, ishte një muzikant i shquar dhe themelues i Lëvizjes Sufiste në Perëndim, i njohur për përhapjen e spiritualitetit islam mistik përtej kufijve dogmatikë. Në këtë ambient të përshkuar nga qetësia, muzika dhe meditimet e thella shpirtërore, Noor u rrit si një bijë e paqes dhe harmonisë.
Por bota që ajo njihte u përmbys. Pushtimi nazist i Francës më 1940 e preku thellë këtë vajzë që besonte në mosdhunë, në universalitetin e shpirtit njerëzor. Si shumë të tjerë, ajo mund të kishte zgjedhur të rrinte mënjanë – por nuk e bëri.
Në moshën 26-vjeçare, Noor iu bashkua Women’s Auxiliary Air Force (WAAF), si një përgjigje ndaj sfidës morale që paraqiste Lufta. Pavarësisht nga edukimi i saj pacifist, ajo ndjeu një detyrim për të vepruar – jo për të vrarë, por për të shërbyer si një hallkë e domosdoshme në rezistencën kundër tiranisë.
Kjo ndjenjë përkushtimi u konkretizua kur, përmes një seleksionimi të rreptë, ajo u rekrutua nga Special Operations Executive (SOE) – një njësi sekrete britanike e krijuar nga Churchill për të “vënë Evropën në zjarr” përmes sabotimeve dhe luftës psikologjike. Ishte një zgjedhje që sfidonte jo vetëm origjinën e saj kulturore e fetare, por edhe rolin tradicional të grave në luftë. Me emrin e koduar “Madeleine”, Noor u bë operatorja e parë femër e radios e dërguar në Francën e pushtuar – një nga postet më të rrezikshme dhe vendimtare në luftë.
Në qershor 1943, ajo zbriti në Paris, një qytet që nën sipërfaqen e tij të bukur, jetonte me ankthin e kontrollit nazist dhe me shpresën e fshehur në rrjetet e rezistencës. Ajo u bë nyja që lidhte grupet e sabotatorëve me qendrën britanike në Londër, duke transmetuar përmes një radioje të fshehur mes rreziqeve të përhershme. Në një periudhë kur Gestapo kishte shkatërruar pothuaj të gjithë rrjetin e SOE-së në Paris, Noor mbeti e vetmja në veprim, duke qëndruar në terren me bindje të hekurt për të mos braktisur asnjë të vetëm.
Mbi supet e saj të brishta, ajo mbante një detyrë që kërkonte shkathtësi teknike, vullnet të çeliktë dhe përkushtim të pakushtëzuar. Çdo transmetim mund të zbulonte vendndodhjen e saj. E megjithatë, ajo vazhdoi – duke ndërruar identitete, strehë dhe kontakte – një figurë e vetmuar në një Paris të rrethuar nga spiunët dhe frika.
Në tetor 1943, një tradhti – e besuar se është kryer nga një informator francez – e dorëzoi Noor-in në duart e Gestapos. E arrestuan dhe e transportuan në Pforzheim, ku ajo kaloi 10 muaj në izolim të plotë. Ishte lidhur me zinxhirë, e torturuar, e uritur. Edhe në këto kushte, ajo refuzoi të dorëzonte informacion. U përpoq të arratisej dy herë, por pa sukses. Më vonë, një nga rojet do të kujtonte se “ajo kishte një shikim të paepur, të një shpirti që nuk thyhet”.
Më 12 shtator 1944, së bashku me tri gra të tjera agjente të SOE-së, Noor u dërgua në kampin e përqendrimit Dachau. Të nesërmen, mëngjesin e 13 shtatorit, pas një nate torturash dhe përdhunimesh, ajo u ekzekutua me një të shtënë në kokë. Sipas dëshmive të mbledhura më pas, fjalët e saj të fundit ishin: “Liberté.”
Për vite me radhë, historia e Noor Inayat Khan-it mbeti në hijet e kujtesës kolektive. Ndoshta për shkak të përkatësisë së saj fetare dhe kulturore, ndoshta për shkak të modesisë së saj të skajshme dhe mungesës së imazheve heroike në përfytyrimin publik të luftës. Ishte një grua myslimane, me prejardhje indiane, që mbajti një armë të padukshme – një radio – dhe një qëndresë të jashtëzakonshme në heshtje.
Pas vdekjes, ajo u nderua me Kryqin e Shën Gjergjit (George Cross) nga Britania dhe Croix de Guerre nga Franca. Në vitin 2012, në Gordon Square, Londër, u zbulua një shtatore në nder të saj – statuja e parë në Britani që nderon një grua myslimane dhe heroinë të Luftës së Dytë Botërore.
Historiografët dhe regjisorët e dokumentarëve kanë filluar gjithnjë e më shumë të zbulojnë jetën e saj. Dokumentari “Enemy of the Reich: The Noor Inayat Khan Story” dhe libri “Spy Princess” i Shrabani Basu, janë ndër përpjekjet më të njohura për t’i dhënë zë historisë së saj.
Historia e Noor Inayat Khan është më shumë se një rrëfim trimërie. Është një manifest shpirtëror i një qëndrese të ndritur, një kujtesë se forca e vërtetë nuk qëndron vetëm në fuqinë e armëve, por në vendimin për të mos u nënshtruar, për të mos u thyer, edhe kur gjithçka tjetër rrëzohet.
Ajo ëndërronte për ura mes njerëzve, jo mure. Ajo nuk luftoi për hakmarrje, por për të mbrojtur idealet e paqes, lirisë dhe dinjitetit njerëzor. Fjalët e saj të fundit janë një pasqyrë e shpirtit të saj: “Liberté” – një fjalë që tejkalon të gjitha gjuhët dhe të gjitha kohërat.