Fjalët e John F. Kennedy-t janë më shumë se citime , ato janë thirrje ndërgjegjeje, reflektim i një lidershipi të rrallë dhe një testament i përjetshëm i idealizmit të guximshëm që sfidon cinizmin, apatinë dhe frikën. Në këtë përzgjedhje të shprehjeve frazeologjike, shpaloset qartë vizioni i tij për demokracinë, edukimin, paqen, përgjegjësinë qytetare dhe forcën morale të individit.
Kennedy nuk fliste për të impresionuar, por për të zgjuar një vetëdije të re – për të thirrur guximin në një botë që shpesh kërcënohej nga lufta, padrejtësia dhe konformizmi. Ai nuk i shmangej të vërtetave të pakëndshme dhe nuk i maskonte sfidat me fraza të zbrazëta. Përkundrazi, ai e përdorte gjuhën si armë të mendimit të lirë dhe të vullnetit për ndryshim.
Nga thirrja për veprim, “Mos pyesni çfarë mund të bëjë vendi për ju, por çfarë mund të bëni ju për vendin tuaj”– te pohimi se “një ide vazhdon”, pavarësisht jetës apo vdekjes së individëve, Kennedy mishëronte frymën e një epoke që kërkonte ndriçim përmes fjalës, por më shumë përmes veprës.
Këto shprehje janë më shumë se sentenca politike, janë gurë themeli për të kuptuar raportin midis lirisë dhe përgjegjësisë, midis edukimit dhe paqes, midis individit dhe historisë. Ato i japin zë një filozofie që sot mbetet po aq e fuqishme sa në kohën kur u shqiptuar: një filozofi që e sheh demokracinë si një detyrë morale dhe qytetarin si një agjent të pashmangshëm të së mirës së përbashkët.
Në një botë ku ende luftohet për të drejtën për të jetuar me dinjitet, fjalët e John F. Kennedy-t mbeten si një busull që na udhëzon përtej retorikës, drejt veprimit të ndershëm dhe drejt një humanizmi të thellë që nuk dorëzohet përballë errësirës – por ndiz qirinj.
Shprehje të përzgjedhura nga John F. Kennedy:
- Injoranca e një votuesi në një demokraci rrezikon sigurinë e të gjithëve.
- Mirënjohja nuk mjafton të thuhet – duhet të jetohet.
- Ata që e bëjnë të pamundur revolucionin paqësor, e bëjnë të pashmangshëm atë të dhunshëm.
- Konformizmi është burgu i lirisë dhe armiku i rritjes.
- Fali armiqtë, por mos harro kurrë kush ishin.
- Liria ka gjithmonë një kosto të lartë, por ne e kemi paguar gjithmonë. Dhe nuk do të zgjedhim kurrë rrugën e dorëzimit apo të nënshtrimit.
- Një komb që ka frikë t’u lërë qytetarëve të drejtën për të gjykuar të vërtetën dhe gënjeshtrën, ka frikë prej vetë qytetarëve të tij.
- Mos pyesni çfarë mund të bëjë vendi për ju – por çfarë mund të bëni ju për vendin tuaj.
- Mos negocio kurrë nga frika – por mos ki frikë të negocosh.
- Një njeri mund të vdesë, një komb të bjerë, por një ide jeton.
- Paqja është një proces i përditshëm, që ndryshon mendjet dhe rrëzon ngadalë barrierat, duke ndërtuar ura të reja.
- Qëllimi i arsimit është përparimi i dijes dhe përhapja e së vërtetës.
- Fjala “krizë” në gjuhën kineze përbëhet nga dy karaktere – një për rrezikun, tjetri për mundësinë.
- Problemet tona janë të krijuara nga njerëzit – dhe mund të zgjidhen prej tyre. Asnjë sfidë njerëzore nuk është përtej njeriut.
- Armiku më i madh i së vërtetës nuk është gjithmonë gënjeshtra – por miti: këmbëngulës, joshës dhe jorealist.
- Njerëzimi duhet t’i japë fund luftës, përpara se lufta t’i japë fund njerëzimit.
- Njeriu është ende kompjuteri më i jashtëzakonshëm që ekziston.
- Njeriu vepron si duhet – pavarësisht pasojave, pengesave apo rreziqeve – dhe kjo është themeli i moralit njerëzor.
- Çdo nënë dëshiron që i biri të bëhet president – por jo të bëhet politikan.
- Nuk jemi këtu për të mallkuar errësirën, por për të ndezur qirinj që ndriçojnë rrugën drejt një të ardhmeje më të sigurt dhe më të arsyeshme.
- Çka na lidh më fort është se të gjithë banojmë këtë planet, thithim të njëjtin ajër, duam të njëjtën të ardhme për fëmijët tanë – dhe të gjithë jemi të vdekshëm.
- Fatkeqësisht, paqen shpesh mund ta sigurojmë vetëm duke qenë të përgatitur për luftë.
- Koha duhet përdorur si mjet, jo si vend për t’u fshehur.
- Nëse nuk mund të kapërcejmë dallimet tona, të paktën të sigurojmë një botë ku diversiteti të jetë i mbrojtur.
- Një shoqëri e lirë që nuk ndihmon të varfrit, nuk do të jetë në gjendje të shpëtojë as të pasurit.
- Në kohë krizash të brendshme, njerëzit e vullnetit të mirë duhet të bashkohen, pavarësisht bindjeve politike.
- Historia është një mësuese e pamëshirshme: nuk ka të tashme, vetëm të kaluarën që rend drejt së ardhmes. Të kapesh pas saj do të thotë të mbetesh prapa.
- Toleranca nuk është mungesë përkushtimi ndaj bindjeve të tua – por refuzim për të shtypur apo persekutuar të tjerët për të tyret.
- Bota ka ndryshuar. Njeriu sot mban në duart e tij fuqinë për të zhdukur çdo formë varfërie – por edhe vetë jetën në planet.
Përgatiti: Albert Vataj