Rasti i Ella Harper, e njohur si “The Camel Girl”, përfaqëson një ndër shembujt më të fuqishëm të përballjes së individit me rrethana jashtëzakonisht të vështira fizike dhe sociale në fundin e shekullit XIX. Historia e saj shkon përtej kuriozitetit të një deformimi të rrallë, ajo është një reflektim i mënyrës se si shoqëria e kohës i shihte dhe i trajtonte personat me aftësi ndryshe.
Ella Harper lindi më 5 janar 1870 në Tennessee, SHBA. Ajo vuante nga një gjendje e rrallë mjekësore e quajtur genu recurvatum, një deformim ortopedik i gjunjëve që i bënte të përkulen mbrapsht. Kjo e bënte thuajse të pamundur ecjen në mënyrë të drejtë, dhe si pasojë, ajo zhvilloi një mënyrë unike të lëvizjes, duke ecur në katër gjymtyrët, ngjashëm me kafshët.
Në moshën 16-vjeçare, Ella Harper u bë pjesë e një trupe cirku të quajtur W. H. Harris’s Nickel Plate Circus, ku ajo performonte si një atraksion nën emrin “Vajza Deve”. Publiku i asaj kohe, i etur për “çudira njerëzore”, e përjetonte dukurinë e saj si diçka “mahnitëse” dhe “të pabesueshme”. Në posterat publicitarë shkruhej:
“Unë quhem Ella Harper, quhem ndryshe ‘Vajza Deve’, sepse gjunjët e mi përkulen në drejtim të kundërt. Unë eci më mirë në katër gjymtyrë sesa në dy.”
Ajo fitonte 200 dollarë në javë, një shumë jashtëzakonisht e madhe për kohën, dhe për një periudhë të shkurtër, arriti një famë të konsiderueshme.
Ajo që e bën rastin e Ella Harper edhe më domethënës është vendimi i saj për t’u larguar nga syri i publikut. Pas vitit 1886, Ella braktisi shfaqjet dhe cirkun, u regjistrua në shkollë dhe jetoi një jetë të qetë familjare, larg spekulimeve dhe përfitimeve që mund të nxirrte nga gjendja e saj. Ky akt mund të shihet si një akt dinjiteti dhe vetëvendosjeje.
Historia e Ella Harper-it është gjithashtu alegorike. Ajo mishëron jo vetëm vështirësinë e të jetuarit me një trup që bie ndesh me normat, por edhe trimërinë për ta pranuar atë trup dhe për të gjetur mënyra për ta kthyer në burim të pavarësisë ekonomike dhe identitetit. Ajo nuk ishte vetëm një “shfaqje”, ishte një vajzë që, përmes kufizimeve të veta, ndërtoi një zë, një histori dhe më pas zgjodhi heshtjen për të jetuar me dinjitet.
Në një botë që e sheh shpesh ndryshen si objekt kurioziteti ose keqardhjeje, historia e Ella Harper-it është një kujtesë e fuqishme për respektin që i detyrohemi atyre që përballen me jetën në mënyra të jashtëzakonshme. Ajo ishte fëmijë e një kohe që i shfrytëzonte “të ndryshmit”, por vendimi i saj për t’u tërhequr nga ajo skenë është edhe më revolucionar se vetë “shfaqja” ku ajo luajti rolin kryesor.
Përgatiti: Albert Vataj