Albert Vataj
Megjithëse nuk patëm aq fat që këtë trofe ta sillnim në Shqipëri, me gjithë pretendimet e “Zjerm” të Shkodra Elektronike, ndoshta do të ishit kureshtar të mësonim diçka për këtë kupë të qelqtë, që nuk u bë e jona, por na ftoi në sfidën e magjishme të këngës, duke na mbledhur të gjithëve së bashku si në një kremte.
Në një botë të ndarë nga kufijtë, gjuhët dhe historitë, është zëri ai që gjen udhë për të kaluar nga një zemër në tjetrën, pavarësisht diversitetit të kulturave dhe qasjeve estetike të shpërfaqjes së përkatësive identitare që vijnë në një nga evenimentet më prestigjozë të këngës dhe muzikës në kontinentin plak që për tre netë festive ai rinohet dhe merr vitalitet prej shpirtit të ritmit dhe energjive që vijnë për të dëshmuar se arti është puls dhe ritëm.
Dhe kjo stoli e Eurovision Song Contest është më shumë se një kupë, është një simbol artistik i trashëguar dhe personalizuar çdo vit, me një histori dhe dizajn të veçantë që përmbledh frymën e festivalit, është një trofe, sa delikat aq edhe monumental, që e përmbledh këtë udhëtim si një metaforë e qartë, mikrofoni prej qelqi i Eurovisionit.
Në dukje i thjeshtë, në formën e një mikrofoni të viteve ’50, ai mban brenda të gjithë historinë e këtij festivali, një histori që nisi më 1956, në rrënojat emocionale të Luftës së Dytë Botërore, si një thirrje për të krijuar bashkim përmes muzikës. Jo rastësisht, trofeu është i tejdukshëm. Ai nuk fsheh asgjë, si një ftesë për sinqeritet, për transparencë ndjenjash. I punuar nga duart e mjeshtërve të Kosta Boda-s, në Suedi, ky trofe nuk është vetëm një çmim, është një dëshmi.
Peshon rreth 3.5 kilogramë, 27 cm i gjatë, dhe megjithatë mbart shumë më shumë se kaq, sinjifikon ëndrrat e një artisti, krenarinë e një kombi, dhe kujtimin e një nate që nuk harrohet. Në secilin detaj të tij, qëndron një përkushtim ndaj kujtesës dhe ritit. Kur artisti fitues e ngre atë lart, ai nuk fiton thjesht një konkurs, ai bëhet zë i një Europe që dëgjon dhe këndon bashkë.
Ky mikrofon nuk ka nevojë të jetë funksional, ai nuk transmeton zë, por simbolikë. Dhe kjo është më e fuqishme. Ai është një altar i zërit njerëzor, një objekt i bukurisë që nuk këndon, por flet në heshtje për të gjithë ata që kanë guxuar të thonë diçka, në një skenë që i përket të gjithëve.
Në të vërtetë, çdo vit ky trofe personalizohet, në bazën e tij gdhendet emri i fituesit dhe viti i ngjarjes, si një vulë përjetësie. Një kujtim që nuk shlyhet dot, sepse kënga që e fitoi do të vazhdojë të dëgjohet, të kujtohet, të ndriçojë netët e kujtimeve.
Dhe kështu, Eurovision-i nuk është vetëm spektakël. Është një rrëfim i përvitshëm mbi dashurinë, shpresën, identitetin dhe pranimin. Dhe ky trofe, i tejdukshëm, i brishtë, i bukur, është flamurtari i këtij rrëfimi dhe rrugëtimi kremteje arti.