Ka pak produkte në botë që mbartin në shijen e tyre jo vetëm mjeshtërinë e traditës, por edhe mbrojtjen e ligjit dhe vizionin e një epoke. Mortadela e famshme bolonjeze është një ndër to. Që prej vitit 1661, ajo nuk është vetëm një delikatesë e kuzhinës italiane, por edhe një produkt i mbrojtur, falë largpamësisë së një njeriu të kishës: Kardinalit Farnese.
Në një kohë kur pjesa më e madhe e botës ishte ende e panjohur, kur eksplorimi dhe zbulimi ishin më shumë udhëtime gjeografike se sa kulinare, Bolonja kujdesej për të mbrojtur autenticitetin e një prej produkteve të saj më të dashura. Me një edikt të titulluar “Bando e provisione sopra la fabbrica delle Mortadelle e salami”, Kardinali përcaktoi recetën zyrtare të mortadelës, ndaloi përdorimin e çdo mishi tjetër përveç atij të derrit dhe vendosi rregulla të qarta për prodhimin. Një akt vizionar që, në thelb, përbën pararendësin e certifikimeve moderne si DOP apo IGP.
Ky ishte më shumë se një akt burokratik – ishte një gjest dashurie ndaj tokës, traditës dhe reputacionit të një qyteti që e ka gdhendur identitetin e tij nëpërmjet shijes. Me këtë ndërhyrje, Bolonja hodhi themelet e një kulture të mbrojtjes ushqimore që sot njihet dhe respektohet në të gjithë botën.
Herën tjetër që do të prisni një fetë mortadele të vërtetë bolonjeze, mos e konsideroni thjesht një produkt ushqimor. Ajo është një pjesë historie. Një recetë që ka kaluar pa u ndryshuar për më shumë se tre shekuj. Një dëshmi se edhe në fushën e shijes, dinjiteti dhe origjinaliteti duhen mbrojtur, me ligj, me pasion dhe me krenari.
Përgatiti: Albert Vataj