Albert Vataj
Pak figura mbartin me kaq natyrshmëri thelbin e bukurisë europiane të përjetshme si Monica Bellucci. Ajo nuk është thjesht një aktore italiane apo një modele ndërkombëtare; ajo është një manifest i hijeshisë klasike, një simbiozë e rrallë mes glamurit të modës së lartë dhe thellësisë së artit kinematografik. E lindur në Città di Castello të Umbrias më 30 shtator 1964, Bellucci nisi rrugëtimin e saj si modele nën kujdesin e agjencisë Elite Model Management, përpara se të përfshihej në universin e imazheve të paharrueshme filmike.
Ishte roli i saj në Malèna të Giuseppe Tornatore-s (2000) që e bëri emrin e saj të jehonte përtej kufijve të Italisë. Në këtë film, Bellucci nuk ishte thjesht një grua e bukur, ajo ishte simbol i mallëngjimit, i dëshirës dhe i vetmisë në një botë mashkullore, plot paragjykime dhe ankth ekzistencial. Ajo mishëroi bukurinë që të lëndon, që të flet pa fjalë dhe që mbetet, edhe kur ekrani fiket.
Eleganca e saj u bë markë identitare. Nga pasarelat e Dolce & Gabbana-s te luksi i heshtur i Cartier, nga tapeti i kuq i Festivalit të Kanës deri te portretet e përjetësuara nga Helmut Newton dhe Peter Lindbergh, Bellucci nuk thjesht përfaqëson një epokë, por e mbart atë brenda vetes. Në secilën foto, ajo është një Venus moderne, që del nga shkuma e epërme e stilit dhe përjetësisë, si në vizionin e Botticelli-t.
Hollywood-i e kërkoi, dhe ajo nuk refuzoi. Me rolet në The Matrix Reloaded (2003) dhe The Passion of the Christ (2004), ajo kaloi përtej Atlantikut, por kurrë nuk e humbi ADN-në e artit europian. Ajo mbeti ajo që ishte, një ikonë që nuk kishte nevojë të rikonceptohej, sepse kishte lindur e plotë.
Në Spectre (2015), ajo u bë gruaja më e moshuar që ka luajtur një “Bond girl”, një titull që ajo e tejkaloi me hir, duke e kthyer në një deklaratë kundër moshizmit. Jo me arrogancë, por me dinjitet. Ajo nuk aktroi rininë, por e jetoi pjekurinë si një luks i rrallë. Dhe kjo është, ndoshta, arsyeja pse Bellucci mbetet e pakrahasueshme, sepse bukuria e saj nuk buron nga forma, por nga vetëdija.
Me shumëgjuhësinë që i hapi dyert e kinemasë franceze, italiane dhe anglofone, me ndikimin që shtrihet nga estetika klasike deri te betejat bashkëkohore për përfaqësim dhe dinjitet, Monica Bellucci është më shumë se një imazh, ajo është një trashëgimi. Një udhëtim i pandalshëm nëpër kulturë, stil dhe kuptim.
Në një botë që vrapon pas tendencave të rradhës, ajo rri. Rri si dëshmi e asaj që nuk ndryshon, sepse është e vërtetë.