Lutja e një nëne, është lutje e shenjtë, është përgjërim që zbret nga shenjtëria e ikonës për t’u ngjitur në trokun e një zemre, zemre që rreh në kraharorin ku prehet çdo dhimbje dhe gjen paqe çdo trazim.
Sot, më shumë se kurrë kemi nevojë për dashurinë tënde, nënë e shpirtjes qiellore, nënë e zgjimeve të dëshirimta, dhimbje që i blatohet shërimit.
Toka, që e shkele ti vetë, është e mbushur me trishtim, varfëri, mëri, luftë, dhunë, frikë për të sotmen e për të nesërmen.
Mbroji ata që, të tronditur nga vështirësitë e jetës a të ligështuar nga vuajtjet, i lëshon zemra e pushtohen nga dëshpërimi.
Shndriti ata, që nuk i do askush, sepse nuk dinë të duan. Jepu dashuri, nga dashuria jote.
Ngushëlloji ata, që janë shkëputur nga shokë e miq, sepse vdekja u ka trokitur para kohe tek porta a pse kanë humbur aftësinë ta kuptojnë njëri- tjetrin, duke e ndjerë veten thellësisht të vetmuar.
Pajtoji njerëzit, që qajnë bijtë e humbur, bijtë e paudhë, bijtë e papnunë, të pafat, të mjerë.
Mëshirë, o Zojë, për prindërit, që nuk janë në gjendje të çojnë në shtëpi bukën e përditshme. Jepu zemër të fortë, që të mund ta përballojnë jetën e durim, që të mund të presin ditë më të mira.
Duaji ata, që Zoti u ka dhënë hijeshi e ndjenja fisnike, që të mos i shpërdorojnë këto dhanti për punë të kota, por t’i venë në shërbim të lumturisë së njerëzve, të cilët nuk i gëzojnë këto të mira.
Dueji, o Zojë, edhe të gjithë ata, që nuk na duan!