Albert Vataj
Në histori ka data që bien si gurë varri mbi ndërgjegjen njerëzore, por ka edhe nota që nuk shuajnë kurrë. Një nga ato nota u lëshua më 17 tetor 1941, në Lvivin e pushtuar nazist, ku një djalë hebre, Elias, luajti violinën e tij të fundit në një shi të hidhur, pak çaste para se të zhdukej përgjithmonë. Nuk kemi fotografi të tij, as fjalë të shkruara nga dora e tij. Kemi vetëm një rrëfim që ka mbijetuar si një legjendë e heshtur, e thënë nga gojët e të mbijetuarve, të cilët kujtuan jo zhurmat e tmerrit, por melodinë e tij të qetë që i bëri njerëzit të ndalnin frymën për një çast.
Ky djalë nuk kishte asnjë armë përveç ndjeshmërisë. Nuk protestoi me britma, por me violinë. Ai ishte një përkujtues i heshtur i asaj që filozofi Emmanuel Levinas, do ta quante “fytyra e tjetrit”, ajo që na detyron të ndalojmë, të reflektojmë, të mos e kalojmë indiferent kufirin mes njeriut dhe mosnjeriut. Elias nuk i dha emër luftës, por ia dha zë humanitetit të fundosur.
Nëse Primo Levi e përshkroi ferrin e Aushvicit me një penë që shpërfaqte mizorinë dhe dinjitetin e mbijetuar, Elias është zëri i atij që me violinën e tij la një testament muzikor që mund të lexohet vetëm me ndjeshmëri dhe shpirt lirie. Ai është një Orfe modern, i kthyer në pasionin e muzikës përpara se ta shihte vdekjen në sy.
Ky djalë mund të krahasohet me ata që kanë kthyer kohën e tyre të shkurtër në përjetësi. Ashtu si Anne Frank, që me fjalët e saj e mbajti shpresën gjallë në errësirë; si Janusz Korczak, që nuk la jetimët vetëm; si Edith Stein, që ndërroi filozofinë me martirizmin; Elias nuk shpëtoi veten, por shpëtoi një copëz të shpirtit të njerëzimit.
Edhe Leonard Cohen, në një nga tekstet e tij më të thella, thotë:
“There is a crack in everything, that’s how the light gets in.”
Në çarjen e tmerrit, Elias ishte ajo dritë. Në heshtjen e ferrit, ai guxoi të krijojë një poezi të përkohshme tingujsh.
Elias është kujtesa se arti është akt rezistence.
Që dinjiteti nuk vritet.
Që muzika mund të jetë më e fortë se frika.
Që fëmijëria, edhe në orët më të zeza të historisë, ka të drejtën të mos heshtë.