Shkenca po na sjell një paralajmërim të heshtur, por tronditës, planeti ynë, në thellësitë e tij më të thella, po shkon drejt shuarjes më shpejt nga sa mendonim. Një studim i ri nga ETH Zurich dhe Carnegie Institution for Science ka zbuluar se bërthama e Tokës po humbet nxehtësi me ritme të përshpejtuara, një zhvillim që mund të ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si e konceptojmë fatin afatgjatë të botës ku jetojmë.
Ky zbulim nuk vjen nga një parashikim fantastiko-shkencor, por nga eksperimentime të drejtpërdrejta mbi një mineral kyç, bridgmanite, që ndodhet në kufirin mes bërthamës dhe mantelit të Tokës. Në kushtet e nxehtësisë dhe presionit ekstrem, bridgmanite rezulton të jetë një përçues i jashtëzakonshëm i nxehtësisë, rreth 1.5 herë më efikas nga sa ishte menduar më parë.
Çfarë do të thotë kjo në praktikë? Nëse Toka ftohet më shpejt, atëherë rrymat konvektive që gjallërojnë mantelin, nxisin lëvizjen e pllakave tektonike dhe mbajnë fushën tonë magnetike, të domosdoshme për jetën, mund të ngadalësohen dhe, në një të ardhme të largët, të ndalen krejtësisht.
Shkencëtarët nuk mund të përcaktojnë saktësisht kohështrirjen e këtij procesi, por paralelet me planetë si Marsi dhe Mërkuri janë shqetësuese. Ata janë tashmë trupa shkëmborë, të heshtur, pa lëvizje të brendshme apo magnetizëm aktiv. Një fat i ngjashëm, sipas kësaj teorie, mund të presë edhe Tokën.
Kjo është më shumë se një lajm shkencor, është një meditim mbi kalueshmërinë e gjithçkaje. Një kujtesë se edhe ky planet i zhurmshëm, që dridhet, shpërthen dhe rrah me jetën që mbart, është në rrugën e tij drejt një gjendjeje të ngrirë dhe të heshtur. Jo nesër, jo për brezat tanë, por në horizontin kozmik të një kohe që vetëm universi e përfytyron.
Dhe në këtë rrjedhë të pakthyeshme, ajo që na mbetet është të kuptojmë, të çmojmë dhe të mbrojmë këtë mrekulli të rrallë që quajmë Tokë, ende e gjallë, ende mikpritëse, ende shtëpia jonë.
Burimi: ETH Zurich
Përgatiti: Albert Vataj