Albert Vataj
Në një kohë kur gjithçka përpiqet të sillet rreth racionales, përllogaritshmërisë dhe teknologjisë që premton ta njohë edhe shpirtin tonë më mirë se ne vetë, udhëtova përmes një rruge krejt intuitive të “The Emotional Chaos Theory” nga Ahmad I. Alkhalel.
Një pjesëz fiksioni me aromë metafizike dhe zemër poetike që më bëri të ndalem, jo për të gjetur përgjigje, por për të mbetur në pyetje, si një akt përqafimi ndaj asaj që na tejkalon, ndjenjat.
Kaosi emocional nuk është thjesht një term metaforik që përpiqet të përshkruajë çrregullimin e ndjenjave njerëzore; ai është një qasje filozofike, një përpjekje poetike dhe një sfidë ndaj paradigmes shkencore për të përkufizuar, matur dhe kontrolluar atë që, deri dje, ishte e pakuptueshme dhe e paprekshme, zemra.
Në tekstin e Ahmad I. Alkhalel-it, një burrë përpiqet të kuptojë ndjenjat e Christine-s jo përmes intuitës, por përmes probabilitetit. Ai shpreson se, sikurse moti, edhe dashuria mund të parashikohet nëse njihen të gjitha variablat. Dëshira e tij për të “numëruar shkaktarët dhe probabilitetet që ndikojnë ndjenjat e saj” është një përpjekje e bukur dhe njëherazi tragjike për t’i dhënë formë një gjëje që e fiton bukurinë pikërisht nga paforma.
Këtu logjika bie në dashuri me të pamundurën.
Tradita shkencore perëndimore, e ndikuar nga racionalizmi kartezian dhe më pas nga mekanika newtoniane, i përjashtoi emocionet nga fushëveprimi i dijes. Ato ishin “të papërllogaritura”, “të pamatshme”, “të paparashikueshme”, pra, të pavlefshme për ekuacione. Ajo që nuk mund të bëhej objekt i saktësisë, duhej të linte skenën e dijes.
Por sot, epoka e Big Data-s dhe e inteligjencës artificiale po na jep mjete për ta rihapur këtë dosje të mbyllur. Sensorë, algoritme, modele probabilistike dhe teoritë e kompleksitetit na japin shpresë se ndoshta ndjenjat nuk janë plotësisht rastësore, ose të paktën, jo aq të rastësishme sa mendonim.
Alkhalel përdor aeroplanin si metaforë të një sistemi të kontrolluar që përballet me papriturat: erëra, rrufe, mungesë karburanti, defekte teknike, të gjitha të menaxhueshme. Por pyetja thelbësore është, po njerëzit brenda?
Kur një pasagjer ndjen frikë apo dashuri, kur një tjetër zemërohet apo shfaq mërzi, a ndërhyn sistemi? A pëson devijim udhëtimi nga brenda?
Kjo pyetje nuk është vetëm një provokim poetik, ajo është një kritikë e thellë ndaj modelit inxhinierik të shoqërisë që ka tentuar të ndajë njeriun nga ndjeshmëria e tij. A nuk janë pikërisht emocionet ato që përcaktojnë zgjedhjet më vendimtare në jetë?
Në fund të tekstit, Robert, protagonisti, përballet me momentin kur do t’i flasë Christine-s. Por ndërhyn jeta, një telefonatë nga nëna, një udhëtim i papritur, një mur i vjetër që e bën të ndalojë dhe të shohë sesi universi, në një moment entropie, krijon art. Rastësia bëhet krijuesja e së bukurës. Pikërisht aty ku piktura u prish, u rilind.
Njësoj si Van Gogh, që s’mund të pikturonte kaosin por vetëm shprehjen e tij të brendshme, edhe Robert vendos të dorëzohet jo para dështimit, por para prirjes së natyrshme të jetës për të qenë e paparashikueshme. Ai nuk kërkon më kontroll, por dorëzim. Dhe ajo është dashuria në formën e saj më të vërtetë.
“Teoria e Kaosit Emocional” nuk pretendon të japë zgjidhje. Ajo nuk është një formulë që na mëson si të dashurojmë, por një kujtesë që na thotë se dashuria është, vetvetiu, një formë e kaosit që nuk duhet frenuar, por përqafuar.
Ndoshta ashtu si moti, ne mund të mësojmë të parashikojmë reshjet e ndjenjave, por kurrë të kontrollojmë stuhitë e zemrës. Dhe në këtë mister të pandashëm mes logjikës dhe emocionit, qëndron bukuria e qenies njerëzore.
Shënim për autorin
Ahmad I. Alkhalel është autor i romanit “A.I.A – The Great Order”, ku eksploron ndërthurjen e emocioneve njerëzore me sistemet e kontrollit dhe inteligjencën artificiale.