Albert Vataj
Një nga fotografitë më ikonike të mjekësisë moderne nuk flet me zë, por thërret me gjithë fuqinë e përkushtimit njerëzor, si një zgjim i ndërgjegjes dhe shpirtit përkushtues të mjekëve, atyre që më shumë se si të tillë, përfaqësojnë jo një profesion por një mision.
Në vitin 1987, në Poloninë e kohës komuniste, Dr. Zbigniew Religa, një kardiokirurg me vizion dhe guxim, kreu një nga transplantet e para të suksesshme të zemrës në vend. Ishte një operacion që zgjati 23 orë të pandërprera. Përkushtimi i tij do të kthehej në legjendë që zemra e një 17-vjeçari të aksidentuar, të cilën e dhuroi i ati klinikës ku kardiokirurgu Religa kishte kohë që kërkonte një donator për pacientin, Tadeusz Żytkiewicz, duhet të vijonte të punonte.
Në fund të ndërhyrjes, ai nuk shkoi të pushojë. Qëndroi zgjuar për të monitoruar gjendjen e pacientit të tij, Tadeusz Żytkiewicz, duke u siguruar që çdo rrahje zemre të ishte e qëndrueshme.
Fotoja e kapur nga James L. Stanfield për National Geographic është një dokument historik: Religa i ulur pranë pajisjeve të improvizuara, i lodhur, i përgjakur, por i palëkundur; ndërkohë që asistenti i tij kishte humbur ndjenjat nga rraskapitja. Rrjetet e tubave, pajisjeve dhe qeskat me gjak formojnë një skenë që të ngjall frikë dhe admirim, por mbi të gjitha: respekt të thellë.
Ajo që e bën këtë histori edhe më prekëse është se pacienti, Żytkieëicz, jo vetëm që i mbijetoi kësaj beteje me vdekjen, kësaj sprove të pagjasë të një ndërhyrjeje, por jetoi edhe për tre dekada të tjera, më gjatë se vetë mjeku që i dha jetën, Dr. Religa, i cili ndërroi jetë në vitin 2009, por trashëgimia e tij jeton. Ai u bë Ministër i Shëndetësisë, promovoi reforma të thella në sistemin mjekësor polak dhe formoi breza të tërë kirurgësh.
Vite më vonë, Żytkiewicz do të fotografohej sërish, këtë herë duke mbajtur në duar foton e famshme të Religas, si një monument i gjallë i shpëtimit dhe i mirënjohjes.
Nuk janë gjithmonë fjalët ato që frymëzojnë. Ndonjëherë është një çast, një fotografi, një zemër që nuk dorëzohet. Historia e Dr. Religas është një kujtesë se mjekësia nuk është thjesht shkencë, është shpirt, guxim dhe dashuri për jetën, ishte dhe mbeti në historinë kujtesë nga ata që jo vetëm ju përmbajt Betimit të Hipokratit, por e shndërroi atë në një besim.