Albert Vataj
Në një gravurë të vitit 1808, e titulluar “Famille albanaise en voyage”, artisti francez Antoine-Laurent Castellan na fton të sodisim një fragment të rrallë nga jeta shqiptare e fillimshekullit XIX. Kjo vepër, përveçse një dëshmi e syrit artistik të një udhëtari të apasionuar pas Lindjes, është një dritare e çmuar për të njohur vetëimazhin e shqiptarëve në sytë e Evropës Perëndimore.
Në qendër të kompozimit shfaqen tre burra të armatosur, të veshur me kostume tradicionale shqiptare, duke ndaluar në një çast të udhëtimit. Veshja e tyre është e stolisur me elementë dekorativë e funksionalë, ndërsa armët, pushkët me gjatësi të madhe dhe jataganët, janë shenja të statusit, të rrezikut të përhershëm dhe të ndjeshmërisë për mbrojtjen e nderit. Një burrë i bën shenjë drejt horizontit, ndoshta për të treguar rrugën apo për të dhënë një drejtim simbolik të lëvizjes.

Në të djathtë, një grua e ulur në një karrige të thurur, me veshje që reflektojnë hijeshi dhe qëndrim të qetë, ndërkohë që dy gra të tjera në sfond, bashkë me një fëmijë, mbajnë mbi shpinë barrë shtëpiake, ndoshta plaçka të udhëtimit ose sende të jetës së përditshme. Kjo ndarje gjinore e roleve tregon një organizim social të natyrshëm për kohën: burrat mbrojnë dhe udhëheqin; gratë mbajnë peshën e shtëpisë dhe të mbijetesës.
Antoine-Laurent Castellan (1772–1838), një piktor, arkitekt dhe gdhendës francez, ishte pjesë e asaj vale të udhëpërshkruesve të shek. XVIII-XIX që shtegtonin në tokat e Perandorisë Osmane me syrin e një eksploratori të etur për ekzotikën dhe të panjohurën. Ai udhëtoi në Greqi, Hellespont dhe Kostandinopojë, duke vizatuar dhe dokumentuar popullsitë e Ballkanit, përfshirë shqiptarët, të cilët për Evropën në atë kohë përfaqësonin një kombinim të ashpërsisë fisnike dhe krenarisë së papërkulur.
Ky vizatim u përfshi në veprën e tij “Lettres sur la Grèce, l’Hellespont et Constantinople”, e botuar në fillim të shek. XIX. Gravura ka vlera të shumëfishta: etnografike, përmes përshkrimit të veshjeve dhe zakoneve; ikonografike, për rolin që ajo ka luajtur në ndërtimin e imazhit të shqiptarëve në mendjen e huaj; dhe identitare, pasi na kthen përballë një pasqyre të hershme ku shohim vetveten ashtu siç na shihnin të tjerët.
“Familja shqiptare duke udhëtuar” nuk është vetëm një skicë. Ajo është një arkiv shpirtëror i një bote ku shqiptarët jetonin me ecjen, me armën, me nderin, me gruan që mban mbi shpinë barrën e shtëpisë dhe me burrin që sheh larg dhe garanton mbrojtje. Një kujtesë vizuale që na kujton se edhe në udhëtim, siç ishte vetë historia jonë, dinjiteti, përkatësia dhe krenaria nuk mungonin.
Sot, më shumë se dy shekuj pas krijimit të kësaj vepre, ajo mbetet një dëshmi e rrallë për të ruajtur e rizgjuar kujtesën tonë kolektive dhe për të vënë përballë brezat e sotëm me një imazh që flet më shumë se fjalët: për rrugën që kemi bërë dhe për ato që kemi ende për të bërë.