Nga Albert Vataj
Ka rrëfime që përtej fjalëve mbartin një dritë që nuk shuhet me kohën. Janë ato ngjarje të rralla ku jeta dhe vdekja kryqëzohen në një çast, dhe zëri i një shpirti të gjallë mund të shpërthejë edhe përmes dheut, nëse ka dikë që di të dëgjojë. Në librin “Frati i Pashallarëve Bushatli të Shkodrës, At Erasmo Balneo 1756–1788, kronikë e gojdhana”, At Zef Pllumi sjell një histori që të trondit e të mbërthen, ku besimi, guximi dhe njerëzorja bëhen mrekulli. Kjo është historia e fratit dhe e Vukës, që zbulojnë në varreza një zë të ngujuar nën dhé dhe nxjerrin të gjallë një vajzë të shpallur e vdekur. Një akt që do të trondiste çdo mendje dhe do të zgjonte çdo ndërgjegje për të parë se ndonjëherë, më e tmerrshme se vdekja është të mos të dëgjojë askush. E më e madhe se mrekullia, është dashuria për jetën dhe njeriun.
…
Vuka foli ngadalë, duke treguar gjithçka siç kishte ndodhur.
– Ky – tha – është frati ynë. Kur arritëm pranë varrezave, ai u ndal për të ndërruar rrobat, sepse deri aty kishte ardhur i veshur me zhgunin e fratit. Ndërkohë, hoqi zhgunin dhe konopin, dhe i vari mbi një shkurre. Ndërsa po vishte rroba të tjera, unë dëgjova një zë të mbytur që vinte nga dheu dhe i thashë: “Dëgjo si i mundon Juda turqit në botën tjetër!”
Atëherë ai më kapi për dore dhe më tha: “Merre shpatën dhe eja pas meje.”
– Ku do shkosh, o frat? Të luftosh me djallin, apo?
Me vrull hymë në varreza dhe shkuam pas atij zëri. Po ju them të drejtën, burra, më kapi frika, sepse duhej të luftoja me djallin – me njeriun kurrë s’kam pasur frikë, rrëfen Vuka.
Burrat qeshën të gjithë.
– Ku ta dija unë, i marri, se mund të ndodhte që t’i fusnin njerëzit të gjallë në varr, vijoj Vuka.
– Betohemi, – thanë burrat, – edhe ne s’e kemi dëgjuar ndonjëherë këtë gjë!
Kur e gjetëm atë varr të freskët, frati u ul menjëherë dhe me duart e veta nisi të largojë dheun, pastaj më thirri mua: “Hiqe dheun me shpatë!”
Ne shqiptarët e kemi për ters t’i thuash dikujt “të hajë shpata dheun”, por këta latinët duket se e përdorin edhe shpatën si mjet gërmimi. Nuk kisha ç’të bëja dhe e dëgjova, derisa e nxorëm jashtë arkivolin. Nxituam të hapnim një arkivol të vogël në madhësi, kur çfarë të shihje o Krisht, një vajzë brenda tij. Nuk kisha dëgjuar e për më pak të më kishte bërë vaki një gjë e tillë. U shtangëm dhe u habitëm njëherash. Frati ishte më i përmbajtur thua se nuk e kishte një gjë të tillë për herë të parë.
Pastaj ai, me durim dhe maturi bëri disa veprime dhe vajza nisi të marrë frymë duke u kollitur.
Me gjithë dëshirë e mora në krah vajzën dhe e sollëm aty ku kishim lënë plaçkat. Aty e veshëm me këto rroba që na ndodheshim, sepse nuk kishim të tjera, kuptojmë se ajo ishte me petkun e vdekjes veshur.
Kur vajza pas shumë përpjekjesh e mori veten mirë, gati na u hodh në fyt ngaqë mendoi se e kishim rrëmbyer, vijon të tregojë Vuka. Na duhet ta kthenim në shtëpinë e saj vajzën.
– Ajo na tregoi se ishte e Hajdar Rusit, dhe na dërgoi deri te dera e shtëpisë së saj. Frati më tha në vesh që vajzën të mos e fusnim brenda, se ndoshta mund të ishte shtëpi e huaj, ose edhe nëse ishte e saj, mund ta vrisnin ngaqë ishte “ngjallur” nga vdekja. Kështu që erdhëm njëri pas tjetrit për t’u përgatitur. Në atë shtëpi ende atmosfera e zisë ishte pikëlluese.
Kur Frati dhe Vuka shkojnë te shtëpia e vajzës, lypën konak se kishin një vajzë të sëmure dhe do të pushonin pak. Në errësirë vajza nuk po arrinte të kuptonte gjë, por edhe ne, rrëfen Vuka, u përpoqem të parapërgatitnim siatuatën, duke u sistemuar diku në një kthin të oborrit të shtëpisë, sepse në të tilla raste gjithçka ishte e mundur
Ajo ishte vajza e Hajdar Agës, një njeri i dëgjuar në Shkodër, me emër dhe me zë të madh. Mbasi e thirrëm të atin e vajzës dhe i treguam se kush ishim dhe nga vinim, i treguam fije për pe gjithë se si kishte ndodhur, se pse kishin shmangur rrugën kryesore, që të fut në Shkodër, dhe kishin hyrë në varrezat e myslimanve (ku janë atë ditë e sot), se pse kishin hyrë në varreza dhe se si e kishin dëgjuar atë zë në varreza. Vajza na tha se është bija juaj, i tha frati Agës.
– Zoti ju shpërbleftë me të mira, tha Hajdar Aga, sepse përmes jush, dita më e keqe e jetës sime u kthye në natën më të lumtur…!
Aga thirri njerëz dhe në heshtje po përgatitej gjithçka. Nëna e vajzës do të ishte e para dhe kryesorja që do të duhej të përballonte të bijën që ishte ngritur nga varri. E vështirë për një nënë, për shpirtin dhe zemrën e saj të bëra copë nga ndarja me vajzën e vogël.
Shumë shpejt gjithçka u përgatit.
Erdhën kafet e falënderimit. Nëna solli vajzën, të larë, të veshur dhe zbukuruar, e cila u hodh menjëherë dhe përqafoi të atin, i cili tha:
– Shko puthi dorën atij zotërisë, se ai të solli shëndoshë e mirë, ai të “ringjalli” prej së vdekuri.
Vuka e mori në përqafim vajzën e vogël, pastaj e puthën dy dajat e saj dhe të afërmit.
Kur pimë kafet, donim të ngriheshim për të vazhduar rrugën.
Hajdar Aga u ngrit me nxitim:
– Ku do shkosh, zotëri?
– Te Sumajt, se më presin sonte, tha Frati.
– Ne me Sumajt jemi miq dhe kumbara, por dëgjo, frat tha Aga i vendosur, sonte s’ke pse shkon më tej. Kjo është shtëpia jote dhe s’ke pse heq ato rroba, sepse je miku im për sa kohë të jem gjallë, dhe pa më vrarë mua, s’mund të të prekë kush ty, jo në Shkodër por edhe përtej.
Atëherë më tha Vuka: – Pader, është turp për ne të dalim nga kjo derë, pa pranu bujarinë e kësaj mirënjohje. Sepse ajo e cila na bëri vaki ne, nuk i ka bërë askujt dhe ka për tu përmendur dhe dëgjuar për sa të ketë jetë në Shkodër e gjithkund shkon fjala e çohet zëri.
Shtrojnë sofrën dhe u ulëm për darkën e gëzueshme.
– Si e ka emrin zotëria? – e pyeti Hajdari, Vukën për fratin.
– Po ku ta di – u përgjigj ai – këta s’i kanë emrat si ne, i kanë të vështirë, por ne e thërrasim shkurt Pader ose Frat.
– Pader – tha Hajdar Aga – të përshëndes me gjithë zemër dhe qofsh i bardhë në këtë shtëpi, sonte dhe përherë, se ma ktheve natën e zezë në ditë. Mirë se të solli Zoti në këtë shtëpi edhe ti, burrë malësie. Sonte hamë çfarë na ka dhënë Zoti, e nesër për drekë do ftoj miqtë dhe njerëzit e mi më të afërt, se do festojmë kthimin në jetë të vajzës, dhe ky është gëzimi më i madh që më ka ndodhur, tha Aga.
Për Sumajt flas vetë dhe do të shoqëroj deri te ata. Bujrum, burra – dhe nisi gostia, me të pirë dhe me të ngrënë si për festë.
Kur u çuam nga sofra, Hajdari e pyeti Vukën:
– Po varri, ashtu e latë hapur?
– Ku na shkoi mendja për varrin tha ai. Kishim hallin e vajzës e për asgjë tjetër.
Atëherë ai u kthye nga miqtë e vet, të cilët thanë se do dërgonin dikë para se të zbardhte dita për ta mbyllur përsëri varrin.
Të nesërmen nisën vizitat e miqve dhe dashamirëve. Në drekë ishim tri sofër burra, gratë nuk e di, se hanin në dhomë tjetër. Ishte një gosti e madhe, kishin sjellë për Vukën dhe për mua edhe verë e raki.
Para se të mbaronte dita, Hajdar Aga, i veshur e i rregulluar për bukuri, tha se do vinte me ne deri në shtëpinë e Sumajve.
Kur dola në çardak, aty na priste nëna me vajzën, dhe, pasi më puthën dorën, ajo hoqi nga qafa një zinxhir me monedha ari dhe më tha:
– E di që ti s’e do, por edhe ti vjen prej njerëzish, merre në kujtim tim dhe çoje nënës ose motrës sate.
Ndërsa Vukës i dha një qese me argjend.
Kur mbërritëm te Sumajt, Hajdari tregoi si kishte ndodhur gjithçka, ndaj mos u zemëroni me fratin, se nuk kishim si ta linim të vinte pa marrë me vete falënderimin dhe mikpritjen e një gëzimi që solli në shtëpinë tonë, duke e bërë mortin gaz.
– Faleminderit Zotit, – thanë ata – se edhe ne do vijmë për gëzim…
…
Këtu mbaron historia e vajzës, por tregimet dhe historitë e këtij libri do vazhdojnë pasi janë edhe me interesante, dhe kanë të bëjnë me ngjarje dhe histori të tjera rreth periudhës 30-vjeçare të asaj kohe, veçanërisht me marrëdhëniet e Fratit dhe Vukes me Mehmet Pashe Bushatliun, themeluesin e dinastise se Bushatlive te Shkodrës…..
Kjo histori, e mbetur si një kujtim në gojëdhënat e Shkodrës dhe më gjerë, nuk është thjesht një tregim i çuditshëm apo i rrallë, një e vërtetë që të ngjeth edhe sot pas kaq e kaq vitesh. Ajo është një dëshmi për fuqinë e besimit dhe veprimit të njeriut përballë së pakuptimtës. Frati, me shpirtin e një shenjtori dhe guximin e një profeti, nuk nguroi të dëgjojë zërin që vinte nga varri. Ai nuk e ndaloi hapi as para frikës, as përballë mosbesimit, e as nga paragjykimi fetar apo shoqëror. E shoqëruar nga Vuka, një njeri i zakonshëm me zemër të madhe, kjo mrekulli nuk qëndron thjesht në aktin e “ringjalljes”, por në vullnetin për të parë përtej të dukshmes, për të vepruar për jetën.
Në këtë kronikë të rrallë gojëdhëne, fshihet thelbi i një populli që edhe pse i ndarë nga fe e zakone, në çaste të vërteta bashkohet për një ideal më të madh, nderin, jetën dhe mikpritjen, duke treguar se bashkëjetesa fetare ka qenë dhe është forcuar me histori të tilla. Në përqafimin e Hajdar Agës, në fjalët e mirënjohjes së nënës, në sofrën e shtruar, në zinxhirin prej floriri e në përqafimin e një fëmije të rikthyer nga skaji i vdekjes, gjendet më shumë se një ngjarje, gjendet shpirti i një kohe, i një populli dhe i një besimi që nuk shuhet.
(Pjesë nga libri janë publikuar kohë më parë nga Vasel Gilaj, “Zani i Malsisë”. Por unë e risjell për ju miq, dhe, për lehtësi të të kuptuarit dhe të përfshirit në këtë përjetim, u përpoqa ta përshtas atë në gjuhë standarde, patjetër edhe me ndërhyrje plotësuese në tekst, duke e pasuruar, jo për të ndryshuar asgjë nga thelbi i saj.)