Albert Vataj
  • DIJE
    • Figura të ndrituna
    • Kujtesë
    • Impresione
    • Traditë
    • Histori
  • KRIJIMTARI
    • Persiatje
    • Esse
    • Poezi
    • Prozë
    • Urtësi
  • LETËRSI
    • Autorë
    • Libra
    • Filozofi
    • Përshkrimore
    • Dashuri
  • ART
    • Pikturë
    • Muzikë
    • Qytetërim
    • Mitologji
    • Kritikë
  • SPEKTËR
    • Reportazh
    • Intervista
    • Psikologji
    • Profil
    • Forum
    • Eros
  • Kureshti
    • A e dini se?
    • Shëndetësi
    • Kuriozitete
    • Natyra
    • Nga jeta e korifejve
    • Shkencë
  • BLOG
No Result
View All Result
  • DIJE
    • Figura të ndrituna
    • Kujtesë
    • Impresione
    • Traditë
    • Histori
  • KRIJIMTARI
    • Persiatje
    • Esse
    • Poezi
    • Prozë
    • Urtësi
  • LETËRSI
    • Autorë
    • Libra
    • Filozofi
    • Përshkrimore
    • Dashuri
  • ART
    • Pikturë
    • Muzikë
    • Qytetërim
    • Mitologji
    • Kritikë
  • SPEKTËR
    • Reportazh
    • Intervista
    • Psikologji
    • Profil
    • Forum
    • Eros
  • Kureshti
    • A e dini se?
    • Shëndetësi
    • Kuriozitete
    • Natyra
    • Nga jeta e korifejve
    • Shkencë
  • BLOG
No Result
View All Result
Albert Vataj
No Result
View All Result
Home Pikturë

Vladimir Toroveci: Sotiraq Xega, piktori qe rizgjon arketipet e tij

October 20, 2017
in Pikturë
181
VIEWS
Share on FacebookShare on TwitterShare on Pinterest

 

Dhjetra metra larg qëndrës së fshatit Drenovë, atje ku mbas asfaltit fillojnë rrugët karakteristike me kalldrëm, ndodhet banesa modeste e piktorit Sotiraq Xega.  Ngjitur me shtëpinë e tij, përbri një sheshi të vogël e romantik,  inxhinjeri Ilir Deti, nën shëmbullin e drenovarëve të vjetër, me mure guri të zinj e të skalitur, me një stil arkaik dhe tradicional, ka ndërtuar një çezmë. Çezma si një bekim në  ditët e nxehta të verës, freskon dhe shuan etjen e kalimtarëve të rrallë të cilët me siguri urojnë mirëbërësin. Tej, duken manat e famëshme të Drenovës. Ngjtur me shtëpinë e tij dhe rrethuar prej këtij mjedisi fshatarak, mbështetur mbi disa pilastra hekuri, ngjiten një palë shkallë metalike që të çojnë në katin e dytë, ku është studioja e piktorit. Vetë kjo e fundit e mbështjellë me vetrata, ngjan më tepër me një fole zogjsh se sa me një atelie të zakonëshme artisti. Jo shumë larg, në lindje, ngrihet kurrora e maleve të Moravës, prej nga një sërë tempujsh   kristianë, kacavjerur shpateve të kitheta, lëshojnë hijen e tyre të paqtë dhe mistike. Ditën e kremtimit të Shën Elenës dhe të Shën Kostandinit, Drenova sikur fiton të tjera përmasa, më solemne dhe ngazëllyese. Mizëria e besimtarëve, ardhur nga e gjithë zona, tek ngjitet shpatit të thepisur, me një pamje të përvuajtur, sikur tjetërsohet kur zbret poshtë. Në sytë e tyre dallohet lehtë drita e shpresës dhe e besimit që i’u ka zgjuar lutja në vendin e shënjtë. Edhe qielli atë ditë ngjan se mbushet me kerubinë dhe mbi fshat era e qirinjëve të djegur dhe e temjanit të erëndëshëm, e mbush atmosferën me një ndijesi dëliresie dhe shëlbese.

Të kuturisësh përmes grykave dhe të ndërfutesh në brëndësi të masivit të Moravës, mbetesh i habitur nga bukuritë e virgjëra dhe burimet ujëshumë të lirishtave të begata. Të ngjan se perëndesha pagane Artemis, në këto sheshe e hasi Aktionin dhe e shndërroj në dre. Dhe vërtet, edhe pa vullnetin e perëndive të ngallitet dëshira të tjetërsohesh dhe të bëhesh pjesë e këtij mjedisi madhështor, ku bukuria e pyjeve dhe misteri i guvave e honeve të mbështjell me ndjenjën e paqes dhe të admirimit.

Sa herë ka bredhur Xega në rini, shpateve dhe honeve, pyjeve dhe lirishtave të Moravës..? Sa herë ka ndezur qirinj dhe është falur, në guvën e Shën Elenës apo në kishëzën e vogël të Shën Kostandinit..? Ditëve të verës apo të vjeshtës, përpara syve të tij të habitur, janë fanepsur drerët e egër me kurrorat e brirëve të magjishëm. Fëshfërimat tinzare të dhelprave dhe kumbimet e hapave të arushës, që kanë bërë t’i dridhet zemra në krahëror. Po netëve të dhjetorit, kur dëbora mbulon rrëzën e maleve dhe hëna e plotë e mbush dherin me shkëndija të argjënta, a nuk i ka ngatëruar ai ato me shkrepëtimat e syve të egërsirave të urritura që tinëzisht i afrohen fshatit..?

Ndërkaq kur ngjitet lart në studion e tij të çuditëshme, me siguri ka përshtypjen se i largohet tokës dhe i afrohet më shumë qiellit. Se imagjinata e shndërron në zog dhe në bashkëudhëtar të tyre. Kjo sidomos në vjeshtë, kur shumë prej fluturakëve bëhen gati të shtegëtojnë dhe kërkojnë të marrin me vete në viset e largëta të orientit, imazhet e këtij fshati parajsor. Sidomos atë të manave, kësaj peme të bekuar që edhe i ka mbrojtur përgjatë rrebesheve të verës edhe i ka ushqyer me frutet e saja. Kjo pemë simbol i Drenovës dhe fshatit tjetër përbri, Boboshticës. Ndoshta Drenova i’a kalon kësaj të fundit, vetëm sepse ka Xegën që manave i’u bën portretin me një dashuri dhe durim këmbëngulës e të pa shoq.

Me qindra janë imazhet e tyre, që piktori i ka hedhur përgjatë jetës së tij mbi telajo. Si të ngulmojë të endë një sinfoni, ku në vend të notave ka vendosur penelatat e ngjyrave dhe drit-hijeve. Miqësia e tij me një prej akuarelisteve më në zë të qytetit të Korçës, kolegun e vet Sotiraq Kuqali, edhe nëse nuk e ka shndërruar në epigon apo dishepull të tij e ka nxitur të kumtojë thelbin e pejsazhit drenovar, atë të manit, këtij monumenti natyror të trevës sonë.

Sipas një miti të lashtë, thuhet se mani i zi e ka origjinën e  hershëme nga Irani i largët dhe u be i tille nga gjaku i dy të dashuruarve që vranë veten nën hijen e tij, prandaj dhe frutat, qysh atëhere u bënë të kuqe si gjaku. Kjo vërtet mund të jetë  legjendë, por ashtu siç thote Jungu: “Legjendat kanë karakter individual dhe shprehin jetën më saktë se shkenca”. Ndoshta, zogjtë shtegëtarë kur emigrojnë    çojnë në vendin e origjinës, tek paraardhësit e bimës, edhe mesazhet e ardhacakëve të dikurshëm, duke i siguruar ata për kujdesin që tregohet ndaj tyre dhe për portretet që piktori i’u bën si të jenë pinjoj mbretërorë.

Kjo ndoshta duket disi fëmijënore, por i tillë ngjan herë pas here edhe piktori Xega. Veprat e tij kanë një lloj naiviteti dhe patetizmi, bile, ai edhe kur flet për to, shpërfaq një farë vetëmburjeje të çiltër dhe emotivitet shpërthyes, karakteristika këto për shpirtrat e pastër dhe të pa prishur nga sëmundjet e civilizimit të sotëm.

Shkruaj këto rradhë dhe s’di pse më kujtohet Klod Mone, si dhe një sërë artistësh të tjerë të sotëm dhe të mëparshëm, deri tek akuarelisti i talentuar i Korçës Sotiraq Kuqali. Po pse më ngallitet ky asociacion.. dhe ç’lidhje ka gjeniu francez i impresionizmit me piktorin provincial Sotiraq Xega..?Po me Sotiraq Kuqalin, kolegun dhe mikun e tij, ç’lidhje ka qasja dhe teknika e tij e të pikturuarit me të..?

Përgjithësisht artistët e imazhit, sidomos në pjekurinë e tyre, kanë konsoliduar mënyrat dhe stilet e ngjizjes së figurave përmbi telajo. Gjithsecili ka këndin e vet të perceptimit, motivet dhe vizionet e veta, sepse talentet e tyre varjojnë për nga fuqia dhe intensiteti. Kjo afërmenç është e kuptueshme por ajo që më shtyn mua në këto përsiatje është prirja e përbashkët për të pasqyruar të njëjtat pamje, në dhjetra e dhjetra piktura, pa u lodhur kurrë, si të jenë sugjestionuar prej tyre.

Moneja nuk rreshti gjithë jetën së harbuari mbi temën e zambakëve të ujit, bile edhe kryevepra e tij që ndodhet në galerinë e artit në Londër, të njejtin titull mban, “Pellgu i zambakëve të ujit”. Ndoshta ai ka qënë i kthjellët, në atë  se ekzistenca e vërtetë gjallon nën tokë, në fshehtësi. Ndërkaq ajo që duket, është tepër efemere dhe e përkohëshme. Pikërisht për t’i bërë më prezente dhe të qëndrueshme, ai i ngjizi mbi telajo zambakët e tij të ujit të fshatit Givërni pranë Parisit, me një këshëri dhe pasion të pa shtershëm. I vetëdijëshëm se hijeshia është e përkohëshme, vegimet janë jetëshkurtra dhe se mbas lulëzimit e pjekurisë, vjen vyshkja dhe fundi. Mbase prandaj ka lindur edhe arti, si një nevojë e përjetësimit të së përkohëshmes, të së bukurës dhe magjisë së saj, që zbut dhe  fisnikëron shpirtrat e shqetësuar njerëzorë.

Edhe Kuqali, miku i një jete i Xeges, tani në pjekuri të krijimtarisë së vet, sikur është obsesuar me pejsazhet detare. Me hapësirat e kaltra dhe anijet e ankoruara në mole që ngjan se presin çastin, të marrin rrugën drej pafundësisë, ku frymëron liria dhe aventura. Ndoshta është aspirata e një jete ajo që e shtyn në këto kuturisje imagjinare? Mbase atë që nuk guxoi t’a bëjë në realitet, tenton t’a sendërtoje në krijimet e veta artistike? Pamjet që ai mpiksën me aq durim dhe këmbëngulje, ndoshta janë impulse të pavetedijës që kërkojnë të çlirohen dhe e shtyjnë të qëndrojë me orë të tëra përpara telajos, i magjepsur nga misteri i fanepsjeve të veta. Mund të përmënd me dhjetra artistë të tjerë që janë torturuar nga ideja e mosrealizimit të përsosmërisë. Që kanë tentuar drejt së përkryerës pa e mbritur dot atë. Dhe më mbresëlënësi a nuk është  rasti i Da Vincit që deri në fund të jetës nuk rreshti së punuari mbi” Mona Lizen” e tij..?

Po Xega, nga cfarë kërkon t’a çlirojë nënvetëdijën e vet që nuk i ndahet pejsazhit me mana..? Çfarë e mundon atë dhe çfarë kërkon të na kumtojë me penelatat e veta..?

Mbase për ta kuptuar dhe për t’u përgjigjur disi, lypset të hulumtojmë jetën dhe mjedisin ku ai gjalloj dhe u formua si artist..?

* * *

Të shqiptosh emrin e Drenovës dhe mos të të përfytyrohen manat, do të thotë të mos e kesh vizituar kurrë këtë fshat. Sotiraqi me siguri qyshse i vogël, është rritur me idenë se këto pemë, kanë qënë ndër elementet më thelbësore të jetës së bashkëfshatarëve të tij. Qysh në fëmijëri, ai duke lojtur nën hijen e tyre apo duke shijuar frytet e mrekullueshme e gjithë lëng, është mahnitur prej magjisë që i rrethonte ato. Dhe pikërisht qysh atëhere, ashtu si banorëve primitivë, në mënyrë instiktive i ka lindur dëshira për ti vizatuar dhe për t’iu dhënë statusin e totemit. Ky fetishizim i tyre, ka nxitur tek Xega një lloj hyjnizimi dhe adhurimi fëmijënor dhe pagan që e shtynte të kridhej në botën e tyre të fshehtë, të përhumbej i lumtur mes tyre, si të desh të largohej prej realitetit prozaik.

Dhe kështu vit pas viti, pikturë pas pikture, ai u bë rob dhe besimtar i devotshëm i këtyre pemëve të shënjta, të cilat ashtu si lisi i Dodonës dikur paraardhësve tanë, i zbulonin atij misteret e së ardhmes. Bile jo vetëm kaq, por ai u shndërrua në një sponsor dhe promovues i gjithçkaje që ato përfaqësojnë. Arketipi i tyre gjallon brënda tij si simbol i jetës dhe qënies njerëzore, të cilën gjakon të na i sjellë përmes lojës së artit. Identifikimi i tij me manat dhe objektivizimi i tyre në vepra artistike, sikur ndjek një synim jo aq të planifikuar dhe racional se sa emocional dhe intuitiv.

Këto sa më sipër, nuk jane stërhollime intelektualiste dhe as përçartje prej të fantaksuri! Çdo shpirt i ndjeshëm artisti, sikur sugjestionohet nga prania e gradinave ku pyllëzojne këto pemë te fisme. Ndoshta nga të njëjtat shtysa është nisur dhe poeti Riza Braholli, dikur banues i fshatit Mborje shumë pranë Drenovës, që ka krijuar dhjetra poezi të botuara dhe të pa botuara për manat. Ja njëra prej tyre:

Manat

impresion

Pleq cullakë,

gërmuqur e mundur,

shtriganë

plot gunga të fshehtash

beharësh të ikur

trokasin në portat e dimrit.

Hiri i vjeshtës,

tërë drita

rrëzuar aty

në këmbët e tyre.

Ka një mijë vjet

që presin këtu

në pritje të mjegullave

të nisen e pushtojnë qytetet.

Drenovë, nëntor 2008

Pra, nuk është një tekë apo një manierë e S. Xegës apo edhe e Brahollit sendërtimi i figurave artistike të manave në art. Është një shtysë e brëndëshme, një prirje e lindur nga afria dhe bashkëjetesa me to, në të njëjtin mjedis që i ka bërë artistët të mbajnë qëndrim emocional ndaj këtyre bimëve të bekuara. Dëshira dhe aftësia për të komunikuar heshtazi me to, për ti mishëruar figurat impozante të tyre përmes punës krijuese, ka ngjizur veprat  artistike. Këto vepra nga ana tjetër, janë dëshmi i talentit të tyre që realitetin dhe kuintesencën e trevës, ta bëjnë prezente edhe tek të tjerët.

Dhe ndërkaq, ashtu siç thotë poeti, fizikisht manat ( pra blerimi ) nuk mund t’i pushtojnë dot lehtësisht qytetet,( të cilët po betonizohen çdo vit e më shumë, edhe falë vullnetit të mbrapshtë të të fuqishmëve të kësaj kohe ) por virtualisht atë i’a u bën të mundur Xega. Ai përgjatë jetës së vet krijuese, ka realizuar me dhjetra peisazhe  formatesh dhe përmasash të ndryshme, ashtu siç janë edhe me qindra miniaturat e tij, të ekspozuara anë e mbanë salloneve të qytetarëve. Mbase në mënyrë të pavetëdijëshme ai, ( ashtu si Asdreni dikur ) është shndërruar në një misionar të përhapjes së bukurive të fshatit të vet. Të manave dhe të kopeshteve, të dritës dhe të diellit, të erës dhe të shiut, të ujrave dhe të borës, të zogjve dhe të reve që duke u bashkuar me njëra tjetrën, mpiksen dhe bëhen një brerore farfuritëse mbi Drenovën e tij të dashur.

* * *

Mbas shkrimit të mësipërm, nuk di pse u ndjeva i shqetësuar! Një ndijesi e turbullt paqartësie më ngërthej dhe m’u ngalliten disa dyshime mbi atë, ç’ka kisha hedhur në letër. Në mendje si pa kuptuar me buisi një pyetje të cilës nuk po i jepja dot dum. Pse kisha zgjedhur pikërisht këta artistë për të dëshmuar aspiratat e tyre edhe kështu, evazive dhe të mjegullta. Ç’duan të n’a kumtojnë ata dhe ku qëndron i fshehur mesazhi i tyre për ne të tjerët..? Dhe s’di pse e gjitha më ngjau si një përpjekje e dëshpëruar për ti dhënë trajtat e një miti. Një mit me simbole dhe përfytyrime fantastike që per t’a zbërthyer lypset përqëndrim dhe dhunti orakulli. Sepse a nuk duhet që për të dalluar dicka të largët e të pa qartë për shikimin të vështrosh me sytë e shpirtit..?

Mos vallë gjëndemi përballë një vektori mistik ku ngërthehet, e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja..?

Manat, gjelbërimi dhe frytet tyre në krijimet e Xegës, sikur duan të deshmojnë zanafillën, jetën dhe qëndresën për mbijetesë,  ndërsa, hapësirat, deti dhe anijet mbi të, aspiratën për të çarë përpara drejt lirisë dhe së pa njohurës. Drejt parajsës së humbur të njeriut.

Ndoshta diçka e tillë ngjan tepër e mjegullt dhe e pa qartë. Po ku më mirë se prej shpirtit të artistëve, rishfaqen premisat që frymojnë brenda pavetëdijës sonë kolektive? Dhe së fundmi, në analogji me poetin, do t’a mbyllja me vargun, “Ka mijra vjet që presin… të nisen e të pushtojnë të ardhmen“…

Gusht 2017

Tags: piktori qe rizgjon arketipet e tijSotiraq XegaVladimir Toroveci
Previous Post

Ja disa prosi thelbore që la për fenë dhe dashurinë, e shtrenjta, shejtnesha jonë, Nëna Terezë

Next Post

At’ Gjergj Fishta, ma i zashmi za kushtrimi, ma e themelta vepër shqiptari, kreshta ma e epërme e krenarisë tonë kombëtare

Next Post

At’ Gjergj Fishta, ma i zashmi za kushtrimi, ma e themelta vepër shqiptari, kreshta ma e epërme e krenarisë tonë kombëtare

Albert Vataj

Albert Vataj

Ajo që bën dhe e ndjen është ajo që duhet. Mos u bëj rob i fatalizmit, nëse nuk do të lësh veten të bjerë në boshin e asgjësë. Nuk është e thënë se duhet të ecësh me hapa të shpejtë për të mbërritur diku, hapat e sigurt janë ata që të çojnë aty ku duhet dhe kur duhet të shkosh. Jepu me gjithë shpirt asaj që e do me gjithë zemër dhe do të shohësh se përveçse i pasur do të jesh dhe i lumtur. Ushqeje me dritë gjithçka që jeta ta kredh në terr dhe se bashkë me veten ke çliruar prej kësaj robëria edhe ata që sjellin farën e së mirës të vullnetet për të ndryshuar botën që na përket të gjithëve. Më mirë vdis duke u përpjekur se sa të zvarritesh duke u ankuar. Jeta është gjithçka që ti kërkon prej saj. Nuk ka forcë të hyjshme apo përkufizime që tregojnë udhën e së vërtetës, jetën e merituar, zotërimin e gjithçkasë që të përket. Kërko gjithçka tek vetja. Gjithçka që do është gjithnjë me ty. Mjafton të dish ta kërkosh dhe do të kesh gjithçka.
  • Trending
  • Comments
  • Latest

Fausti, Mefistofeli dhe Margarita, një tragjedi e bashkëjetimit të së mirës me të keqes, vuajtja pambarim

April 4, 2016

Çfarë është Dashuria? Thënie brilante nga njerëz të famshëm që kanë skalitur zjarret e pasionit në historinë e letërsisë

May 12, 2017

Ëndrrat e këqija, makthet, përse i shohim, mesazhet që na dërgojnë dhe a mund t’i shmangim?

April 4, 2016

“Plaku dhe deti”, dyluftimi i pabarabartë i mundësisë, sprova e fatit dhe guximit të njeriut për të sfiduar natyrën

May 4, 2017

Galaktika, Rruga e Qumështit përmban 160 miliardë planete

0

Spektakël dhe frikë nga balena 14 metra e gjate që peshon 30 ton

0

Amani, qyteti i bardhë mbi 18 kodra streha mbretërore e kryeqytetit jordanez

0

Lëvizja e bujshme që shkundullitën nga themelt shekullin XX në botën e muzikës

0
Një top në oborrin e Kolegjit të Jezuitëve, si lindi loja e topkambës (futbolli) në Shkodër

Një top në oborrin e Kolegjit të Jezuitëve, si lindi loja e topkambës (futbolli) në Shkodër

June 15, 2025

Bekim Fehmiu i madhi i roleve të mëdha kinematografike, aktori që e pati si një bekim origjinën shqiptare

June 15, 2025

Klasiku Nicolas Poussin, ai që fisnikëroi penelatën e ndjenjës dhe arsyes përmes ngjyrës

June 15, 2025
Johann Sebastian Bach një baba fatkeq që humbi 11 fëmijë, një kompozitor tragjik që shkroi muzikë për ladinë e Zotit

Johann Sebastian Bach një baba fatkeq që humbi 11 fëmijë, një kompozitor tragjik që shkroi muzikë për ladinë e Zotit

June 12, 2025
  • About
  • Advertise
  • Privacy & Policy
  • Contact

Copyright © 2020 Albert Vataj

No Result
View All Result
  • DIJE
    • Figura të ndrituna
    • Kujtesë
    • Impresione
    • Traditë
    • Histori
  • KRIJIMTARI
    • Persiatje
    • Esse
    • Poezi
    • Prozë
    • Urtësi
  • LETËRSI
    • Autorë
    • Libra
    • Filozofi
    • Përshkrimore
    • Dashuri
  • ART
    • Pikturë
    • Muzikë
    • Qytetërim
    • Mitologji
    • Kritikë
  • SPEKTËR
    • Reportazh
    • Intervista
    • Psikologji
    • Profil
    • Forum
    • Eros
  • Kureshti
    • A e dini se?
    • Shëndetësi
    • Kuriozitete
    • Natyra
    • Nga jeta e korifejve
    • Shkencë
  • BLOG

Copyright © 2020 Albert Vataj